Anëtarësimi në BE mbështetet nga 59 për qind e qytetarëve dhe 63 për qind e kompanive në Ballkanin Perëndimor. Papunësia është ende problemi më i madh për shumë të anketuar, sipas sondazhit të fundit nga Barometri Ballkanik i realizuar nga Këshilli për Bashkëpunimit Rajonal (RCC).
Duke i prezantua rezultatet e sondazhit të vitit 2020, sekretarja e përgjithshme e RCC, Majlinda Bregu tha se qëndrimi pozitiv i qytetarëve të rajonit ndaj anëtarësimit në BE është për 20 për qind më i lartë se në 2015.
Sondazhi i fundit tregon se anëtarësimi në BE mbështetet nga 64 për qind e të rinjve në Ballkanin Perëndimor, që paraqet rritje prej tre për qind krahasuar me një vit më parë.
Barometri Ballkanik është hulumtim vjetor i opinionit publik të kryer nga RCC, mbledhjen dhe analizimin e të dhënave nga qytetarë dhe kompani nga Ballkani Perëndimor për tema të tilla si punësimi, tregtia, investimet, korrupsioni dhe të tjera.
Bregu prezantoi rezultatet e dy sondazheve, njëri nga fundi i vitit 2019, që përfshinte 6,020 qytetarë dhe 1.215 kompani në rajon, dhe tjetra nga maji për ndikimin e pandemisë së re të koronavirusit mbi qytetarët dhe kompanitë në Ballkanin Perëndimor.
Sipas sondazhit, dy problemet më të mëdha me të cilat përballen qytetarët në rajon mbeten papunësia (45 për qind) dhe situata ekonomike (40 për qind).
Korrupsioni është problemi i tretë më i madh (31 për qind), i ndjekur nga shqetësimet për largimin e personelit të kualifikuar jashtë vendit (20 për qind) dhe krimit (17 për qind).
Sondazhi i fundit tregon rënie të konsiderueshme të besimit të qytetarëve në institucionet publike – niveli më i ulët që nga 2015. Shumica dërmuese e qytetarëve besojnë se ligjet nuk zbatohen as në mënyrë efektive (66 për qind) dhe as të paanshme (76 për qind).
Hulumtimi tregon se 71 për qind e qytetarëve besojnë se qeveritë e tyre nuk po luftojnë me sukses në luftën kundër korrupsionit, ndërsa në vitin 2018, 61 për qind e të anketuarve kishin një qëndrim të tillë.
Kur pyeten se kush janë më të korruptuar, 83 për qind e qytetarëve në rajon thonë për partitë politike, 80 për qind gjyqësori, 79 për qind dogana dhe 76 për qind punonjësit shëndetësorë.
“Largimi i fuqisë së kualifikuar punëtore s është bërë shqetësim kryesor për qytetarët tanë, me këtë përqindja ka kërcyer nga zero për qind në vitin 2015 në 20 për qind aktuale. Një 71 për qind e të rinjve në Ballkanin Perëndimor po mendojnë të shkojnë jashtë vendit për punë”, tha sekretarja e përgjithshme e RCC.
Shumica dërmuese e qytetarëve, 77 për qind, besojnë se bashkëpunimi rajonal është i rëndësishëm, ndërsa 61 për qind besojnë se ajo që bashkon qytetarët e Ballkanit Perëndimor është më e rëndësishme se ajo që i ndan ata. Cilësia e bashkëpunimit rajonal është e rëndësishme për 57 për qind të kompanive.
Dyzet e gjashtë për qind e qytetarëve të Ballkanit Perëndimor janë të pakënaqur me situatën e sigurisë në vendin e tyre, dhe 63 për qind e të anketuarve e shohin migracionin si një problem sigurie.
Ndotja konsiderohet problem serioz në ekonomitë e 74 për qind të qytetarëve, ndërsa 67 për qind e njerëzve thonë se janë të gatshëm të paguajnë më shumë për produkte që plotësojnë standardet ekologjike.