Për shpërndarjen e lajmeve të rreme në rrjete sociale dhe portale për virusin korona, Ministria e Brendshme ka ngritur 3 kallëzime penale deri në Prokurorinë Themelore Publike dhe ka shqiptuar mbi 50 paralajmërime. Thonë se nga marsi kanë ndjekur përmbajtjet në internet dhe po analizojnë nëse në rastet konkrete ka elemente të veprave penale kundër shëndetit të njerëzve dhe mos-respektimit të masave gjatë pandemisë.
“Nga Sektori për krime kompjuterike deri në Prokurorinë Themelore Publike Shkup janë ngritur 3 kallëzime penale dhe janë shqiptuar 31 paralajmërime. Janë shqiptuar edhe 20 paralajmërime nga SPB-të” – njoftojnë nga Ministria e Punëve të Brendshme.
Prokuroria Themelore e Shkupit thotë se kallëzimet penale lidhur me virusin në përgjithësi kanë prioritet por se në fazë para-hetimore nuk mund të japin detaje. Ndërkohë ekspertët vlerësojnë se institucionet vendase duhet të bashkëpunojnë me ato ndërkombëtare në përballjen me infodeminë, por patjetër t’i sanksionojnë përgjegjësit. Bojan Kordalov pret që situata me lajmet e rreme të vështirësohet edhe më shumë me afrimin e zgjedhjeve, kur të gërshetohen dy fushatat, ajo për virusin dhe fushata parazgjedhore. Parti të caktuara politike mund ta shfrytëzojnë krizën shëndetësore për të përfituar vota.
“Nuk besoj se në këtë kampanjë partitë politike do të vihen mbi sfidën që quhet “fushatë fer, serioze dhe e izoluar nga lajmet e rreme”. Do të doja kjo të ndodhte, por nuk do të ndodhë. Fatkeqësisht nëse kështu vazhdon situata, do të jemi dëshmitarë edhe të asaj që quhet “kyçje e krizës së koronës në kampanjën zgjedhore” -tha Bojan Kordalov, Specialist për marrëdhënie me publikun./Alsat