Ende asgjë nga lehtësimi i masave të kufijve! Takimi i Komisionit për sëmundje infektive pritet sot

Vazhdojnë ankesat e mërgimtarëve për masat në kufijtë e Maqedonisë së Veriut. Të mërzitur tregojnë se janë përmalluar për vendlindjen, por nuk duan të vijnë të qëndrojnë të mbyllur për dy javë. Urimi nga Gjermania thotë se një vit qëndrojnë në izolim, duan që të vijnë ta shijojnë pushimin.

“Për arsye të vetizolimit Maqedonia që e ka bërë këtë ligjin nuk besoj se do të vijmë, për arsye se shumë pak pushim kemi na shkon krejt pushimi në izolim. Ne i bëjmë gati 1800 km për t’i vizituar familjarët e të qëndrojmë në izolim nuk ia vlen. Ne tërë vitin jemi në izolim këtu mezi i presim pushimet e shkollave që të vijmë t’i vizitojmë familjarët, por për në izolim nuk vijmë më mirë fare”, deklaroi Urim Ajdari – mërgimtar.

Komisioni për sëmundjet infektive ende nuk ka diskutuar rreth lehtësimit të protokollit për ardhjen e mërgimtarëve në vend. Edhe pse Ministri i Shëndetësisë Venko Filipçe në emisionin “Click Plus” tha se për fundjavë, ky komision do të zhvillojë takim në lidhje me kufijtë, ekspertët sot nuk janë mbledhur.