Plazma konvaleshente, shpresë për shërim nga Kovid-19


Plazma konvaleshente e të shëruarve nga virusi së fundmi shihet si një ndër metodat më të pëlqyeshme për kurimin e të infektuarve aktiv. Edhe pse janë shëruar më shumë se 1800 persona, lista e gjatë më kushtet që duhet të plotësojnë, bën që numri i donatorëve potencial të jetë shumë i ulët. Të sëmurët kronik nuk mund të jenë dhurues dhe as ata nën moshën 18 dhe mbi 60 vjeç.

Edhe pse duket sikur numri i vullnetarëve është i vogël, nuk është ashtu. Kjo sepse, shumica e personave të sëmurë dhe të shëruar janë mbi 60 vjeç. Pastaj shumica kanë sëmundje kronike. Donatorët tanë për plazmë konvaleshente duhet të plotësojnë kushtet që duhet të plotësojë një dhurues gjaku. Gjatë përzgjedhjes u bëhen analiza shtesë – deklaroi Rada M. Grubovic-Rastvorceva-drejtuese e qendrës për transfuziologji-Shkup.

Edhe personat që kanë përqendrim të ulët të antitrupave, gjithashtu hiqen nga lista e donatorëve. Akoma nuk dihet as sa kohë mbijetojnë antitrupat në organizmin e njeriut, pas shërimit.

Kjo sëmundje është shumë e panjohur, jo vetëm për ne, por për gjithë botën. Kështu që mendoj se askush nuk ka informacion, çfarë, si dhe sa mbijetojnë. Kështu që për këtë pyetje nuk mund të ju jap përgjigje – tha Rada M. Grubovic-Rastvorceva-drejtuese e Qendrës për Transfuziologji-Shkup.

Deri tani të dhënat zyrtare flasin për rreth 300 persona të paraqitur si vullnetarë për tu bërë dhurues të plazmës dhe vetëm 80 prej tyre kanë plotësuar kriteret për t’u testuar. Nga të testuarit vetëm rreth 20 plotësonin të gjitha kushtet e nevojshme shëndetësore për t’u bërë dhurues. Pas dhurimit plazma ruhet në ambient të veçantë në temperaturë -40 gradë. Numri i rasteve aktive është shumë më i lartë nga sasia e siguruar e plazmës konvaleshente nga donatorët.