Nga katër ditë pritet për testime! Mjekët amë: Terminet s’bëhen sot për sot, prandaj ka pritje


Ankesa të shumta ka pasur në publik se me ditë të tëra pritet për testime, kjo sepse te mjeku amë nuk mund të zënë termine në “Moj termin”.

Mjekja amë në “Mediars”, Sefjan Ferati thotë se testet nuk mund të caktohen sot për sot, por pas katër ditësh. Për shembull ajo ka pasur rast që një pacienti dje t’ja caktoj testin për të hënën.

“Bëjmë një pasqyrë gjaku. Te pasqyra gjakut nëse del formula leukecitare e ndryshueshme, si limfocitetet e larta, monocitetet e larta, por leukocitetet janë të ulëta, do të thotë paraqitet leukopeni te ata, atëherë ne e trajtojmë atë pacientë 7 ditë”, tha Sefjan Ferati, mjeke amë.

Nëse i paraqiten simptomet, atëherë ajo i cakton termin për testim. Ajo gjithashtu sqaron se jo çdo pacient që ka pasur kontakt me të infektuar me Kovid-19 duhet të testohet, sepse ai në rast se nuk ka simptome, duhet të mjekohet me vitaminozë.

Arsyet për terminet për pas katër ditësh është se ka mugesë të ekipeve apo është rritur nevoja për testime? Drejtori i Qendrës për Shëndetit Publik në Shkup, Arben Zyberi thotë se ekipet ditëve të fundit janë shtuar, por është rritur kërkesa nga qytetarët, ndërkaq terminet janë ato që janë dhe nuk mund të ndryshohen.

“Ne kemi edhe ekipe shtesë që shkojnë në shtëpi, për shkak se kemi persona që janë në izolim dhe testohen edhe familjet. Mirëpo për shkak të numrit të shtuar të personave, sidomos në Shkup, ndodh që diku të ketë edhe ngecje”, tha Arben Ziberi, drejtor i QSHP Shkup.

Meqë në Shkup për testim duhet të pritet për 4 ditë, nëse ka raste që janë me simptome, shkupjanët i testojnë edhe qendrat jashtë Shkupit. Për shembull dje Qendra e Shëndetit në Kumanovë i ka testuar 8 shkupjanë, tregon drejtori Arif Latifi.

“Për shembull dje kemi pasur 9 testime të pacientëve nga Shkupi, kurse sot kemi kemi 5 nga Shkupi dhe tre nga Kriva Pallanka,” tha Arif Latifi, QSHP Kumanovë.

Terminet brenda ditës për testime nuk mund të bëhen as në Tetovë, tregon mjeku amë, Liridon Disha, por Qendra e Shëndetit atje nuk deshi të japë deklaratë për TV21 edhe pse i kërkuam disa herë.

Si në Kumanovë edhe në Ohër ka termine të lira. Epidemiologja e Ohrit, Jovanka Koroveshovska tha se kanë kapacitete të lira edhe pse kjo qendër mbulon edhe Strugën.

“Në të pikat e testimit, si në Strugë dhe në Ohër nuk kemi probleme me terminet”, tha Jovanka Koroveshovska, epidemiologe në Ohër. Përndryshe, nevoja për testime vjen si rezultat se vendin e ka kapluar vala e dytë e Kovid-19.