Kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti ka folur lidhur për çështjen e marrëveshjes përfundimtare mes Kosovës e Serbisë së cilës palët dita e ditës po i afrohen.
Ahmeti u shpreh se pavarësisht negociatave dhe rrjedhës në dialogun Prishtinë-Beograd, nuk është pro prekjes së kufijve.
”Unë nuk jam për ndryshim kufijsh”.
”Jam për tu arritur marrëveshje. Por tani varen negociatat edhe lehtësuesit”.
Lidhur me ndikimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në lehtësimin e procesit të dialogut mes Kosovës e Serbisë, Ali Ahmeti tha se nuk ka asnjë dilemë se do ketë rezultate.
”Nuk mendoj që SHBA, mendon të bëjë veprim në kundërshtim me vullnetin e qytetarëve të Kosovës dhe s’kam asnjë dilemë që Amerika në 20 vjetët e fundit kanë marrë vendime të drejta”.
”Unë i besoj Amerikës pa rezervë”.
”Asnjëherë nuk jam zhgënjyer sa herë kam bashkëpunuar me autoritetet amerikane”.
Kreu i BDI-së në Rubikon me Adriatik Kelemendin, tha se shqiptarët e Kosovës duhet t’i besojnë aleatëve të saj – SHBA-së.
”Kosova pa rezervë, duhet t’i besojë Shteteve të Bashkuara të Amerikës”.
”Jam dëshmitar, i kam jetuar disa situata. U ndryshuan administratat, strategjia e Amerikës nuk ndryshon. Ndryshojnë politikat të cilat kanë të bëjnë me ekonominë, ato politika madhore të jashtme por jo Amerika”.
”Nesër mund të vijë një administratë tjetër, por ajo Amerikë do të jetë e njëjta”.
”Mirë është, por në këtë situatë kam shqetësim”.
”Duhet të akordohen Bruksel – Washington sepse në të gjitha proceset BE ka qenë pjesë e pandarë bashkë me SHBA-të në zgjidhje të problemeve dhe do të doja që edhe ky investim, kjo zgjidhje të jetë bashkë me Brukselin”.
”E kuptoj që në Bruksel ka vështirësi, por kisha dashur në këtë projekt kaq madhor për paqen e sigurinë e tërë rajonit të jenë bashkë”.
”SHBA-të kanë ditur që në momentin e duhur t’i afrohen aleatit”.