Reisi i ri Fetahu ende pa përgjigje pse u shkarkua Sulejman Rexhepi. Thotë se po bëjnë analiza


Ushtruesi i detyrës Kryetar i Bashkësisë Fetare Islame të Maqedonisë së Veriut, Shaqir Fetahu, as sot nuk u përgjigj prerë se pse Rijaseti e shkarkoi paraardhësin e tij Sulejman Rexhepi.

Në pyetjet e gazetarëve nëse Rexhepi ka bërë ndonjë shkelje në BFI ose nëse u shkarkua për çështje private-familjare, Fetahu tha se tani për tani po analizojnë gjithçka që është bërë në këtë institucion.

“Ne jemi në fazën e analizave administrative, analizave financiare, analizave të organizimit të jetës fetare dhe momentalisht nuk jemi nga ata që mund të flasim pa argumente. Ne do të jemi opsion i argumentit, jo opsion i bisedave të rrugëve dhe opsion i bisedave shpifëse” tha Fetahu.

Premtoi se do të formojnë një BFI që do të jetë e shëndoshë, e suksesshme dhe bartëse e vërtetë në prezantimin e jetës fetare në Maqedoninë e Veriut. Ushtruesi i detyrës së Reisit po ashtu premtoi transparencë para opinionit për punën e BFI-së.

Sa u përket zgjedhjeve në BFI për të zgjedhur drejtuesin e ri, Fetahu tha se për këtë do të vendosë Rijaseti./TV21