“Dënojmë dhunën ndaj aktivistit të antibixhozit, Tetova mund të protestojë edhe si në Amerikë”

Lëvizja Eco Guerilla dënon ashpër sulmin fizik ndaj aktivistit qytetar dhe pjesëtarit të Lëvizjes Anti Bixhoz që ka ndodhur më 12 Qershor 2020 në Tetovë.
Vlerësojmë se kazinotë dhe objektet tjera të lojërave të fatit janë ndotje morale dhe etike e ambientit ku jetojmë, dhe se mosangazhimi i autoriteteve për t’i dhënë një zgjidhje këtij problemi për të cilin qytetarët e Tetovës kanë protestuar disa herë me rradhë ka krijuar një ambient të rehatshëm që të ndodhin sulme të këtilla ndaj aktivistëve.

I bëjmë thirrje Prokurorisë Publike që të përndjekë dhunuesin sipas ligjit dhe i njëjti të marrë dënimin e merituar për dëmet që i ka shkaktuar pjesëtarit të Lëvizjes Anti Bixhoz.

Meqë kjo qeveri u tregua tolerante ndaj mafias së larjes së parave përmes kazinove, qeveria e re duhet të ndërmarrë hapa konkretë dhe të rëndësishëm për t’i hequr sa më larg vendbanimeve objektet e lojërave të fatit, pa taktizime si deri tani. Besojmë që qytetaria e treguar në protesta kundër kësaj dukurie nuk duhet të provokohet për t’u shndërruar në një model të protestave të dhunshme, si në Amerikë. Sikur mos ju mjaftonte që i provokuat qytetarët me rastin Jugohrom, e që tani të vazhdoni me kazinot. Durimit i vjen fundi!