Kryeministër shqiptar në Maqedoninë e Veriut


Nga Agron BUXHAKU

Para disa ditësh, Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, në një paraqitje para qytetarëve, deklaroi se “Është koha për kryeministër shqiptar në Maqedoninë e Veriut”. Siç pritej, pati reagime të shumta të proveniencave te ndryshme – partiake (që kuptohet dhe është plotësisht legjitime në periudhe parazgjedhore); etnike (Ali Ahmetit, para shume vitesh, një funksionar i lartë maqedon i tha “Ali, asnjëherë mos ta rren mendja se maqedonasit do ta harrojnë 2001), si dhe reagime nëpër rrjete sociale – ku sot, për dallim nga disa dekada më pare kur qytetarët mund të shkruanin vetëm nëpër gazeta dhe revista (ku zakonisht redaktoret kujdeseshin që tekstet të jenë në nivel të pranueshëm gjuhësor, drejtshkrimor dhe logjik), mund te shkruajnë çfarëdo lloj shkrimesh të cilat përhapen, falë internetit, në gjithë botën.

Në shkrimin në vijim, do të përpiqem të argumentoj (shpesh me kundër-argumente), thëniet që u dëgjuan/panë/lexuan ditëve të fundit, pas paraqitjes te Ali Ahmetit. Sigurisht që, shpjegimet e mia do te merren me deklarata të njerëzve eminent – për nga funksioni dhe pesha në shoqëri, por pa përmendur emra! Këtë me qëllim që të evitoj argumentime dhe debata ad hominem (që shpesh përdoret në mungesë të argumenteve sulmohet personi që i ka thënë) dhe të merrem me fakte te prekshme dhe të verifikueshme.

Kërkoj falje lexuesve për sa i përket stilit te shkrimit – megjithë moshën time 63 vjeçare, eksperiencën time në politikë, me qëndrime disa dekadash në vende demokratike te zhvilluara dhe debateve në UNESCO para ambasadorëve nga gjithë bota ku na kufizonin të themi atë që kemi për 3 minuta – ende nuk kam arritur të evitoj digresionet qe shpesh ma humbin esencës e asaj që kam për të thënë. Për të thjeshtësuar dhe qartësuar, do përdor paranteza qe i kam emëruar interpolime (që nuk është fjalë që ka hyre në fjalorin tonë por që në domethënie në origjinal përshtatet në kuptimin që e përdor unë – si një ndërhyrje në tekst për të sqaruar një argument/thënie të tekstit kryesor)

(Interpolimi nr 1 – Elementary dear Watson – në përkthim “elementare, (e thjeshtë i dashur Uotson” – është thënie e njohur e detektivit më të famshëm në letërsinë/kinematografinë botërore Sherlock Holmes (Sherlok Houlms), personazh i krijuar nga Sir Conan Doyle (Konan Dojl). Detektivi Holmes, që nga takimi i parë me ndokënd përshkruan në detaje karakterin, profesionin apo diçka tjetër të të panjohurit , me saktësi marramendëse. Ne reagimin e shokut dhe shoqëruesit të tij doktorit Watson se “si është e mundur që Holmes definon personin në fjalë saktësisht”, detektivi i shpjegon që nga karakteristikat evidente të personit të cilat çdonjëri mund t’i vërejë, sjell konkludime. Këto karakteristika, thotë Holmes, ai i bashkon në një tërësi, dhe duke përdorur metodën logjike të deduksionit arrin të jep tiparet e personit në fjalë. Në këtë reagon dr. Watson, duke thënë se qenka shumë e thjeshtë “tani që me the, i shoh edhe unë”)

(Ineterpolimi nr 2 Politika është art i të mundshmes është thënie e Kancelarit “të hekurt” gjerman Otto von Bismarck (Bizmark) i cili aplikoi, në mënyrë mjeshtërore, politikën dhe veprimet e duhura në kohë të duhur, forcoi shumë Gjermaninë, dhe e bëri mbretin e Prusisë së tij Perandor të gjithë Gjermanisë!)

U tha këto ditë: “qytetarët zgjedhin Kryeministrin”! Elementary dear Watson : në demokraci qytetarët zgjedhin përfaqësuesit e tyre në parlament, të cilët kanë garuar, zakonisht në lista partiake. Partia politike që kanë që fiton numrin më të madh të votave, merr mandatin për qeverisje, zakonisht në koalicion me parti të tjera. Qytetarët , sipas ligjeve tona, në mënyrë të drejtpërdrejtë, zgjedhin Presidentin e vendit. (A propos, në zgjedhjet e fundit presidenciale, Ali Ahmeti bëri thirrje për të përkrahur kandidat maqedon – realisht me vota te popullit një kandidat shqiptar në këto kohëra nuk mund të fiton ne Maqedoninë e Veriut, duke mare parasysh përbërjen etnike te shtetit dhe faktin qe shumica dërmuese e qytetareve votojnë “etnikisht”.

Politika, sipas një interpretimi “shkencë”, në këtë rast ka të bëjë me numra dhe situate faktike, reale, “të prekshme”. Duke mare parasysh se statistika është shkencë ekzakte, dhe se të dhënat e zgjedhjeve të deritanishme – empirike, që është metodë shkencore – na tregojnë se shumica e qytetarëve votojnë për të “vetin”-sipas përkatësisë etnike të kandidatit. Ali Ahmeti theksoi, para zgjedhjeve te fundit presidenciale “sot përkrahim kandidat maqedonas, duke hapur rrugën që, në të ardhmen, partia (apo partitë maqedonase) të përkrahin një kandidat shqiptar!” Nuk besoj se mund te ketë kundërshtim serioz dhe të elaboruar për këtë qasje, e cila shpjegohet me politikëbërjen si art i te mundshmes.

(Interpolimi nr. 2 – citoj statusin e nje analisti tonë në lidhje me thënien “qytetarët zgjedhin Kryeministrin” : “Qytetarët vendosin kush do të bëhet kryeministër, thotë Zaev. Ta përkujtojmë se në vitin 2016 qytetarët vendosën që Nikolla Gruevski të bëhet kryeministër. BDI vendosi që Zoran Zaev të bëhet kryeministër.” Ky është fakt, dhe jo interpretim.

U tha këto ditë : “këtë që thotë Ali Ahmeti sot, ne e kemi thëne në vitin 1991 : një ndër funksionet kryesorë të shtetit – President, Kryeministër apo Kryetar Parlamenti – të jetë shqiptar”, “kjo thënie nuk ishte populiste”,“kishim 23 deputet – si parti e vetme shqiptare – ndërsa VMRO-DPMNE 39, SKM-PDP (LSDM e sotme) 31 deputet”! E vërtetë! Por, Elementary Dear Watson, për shtatë vjet që partia e autorit të shkrimit (në portalin Infoplus te Gerovskit) qe në pushtet, pse nuk e bëri? Nuk pati as President, as Kryetar parlamenti e as Kryeministre! Ali Ahmeti kur tha se do te kemi Kryetar parlamenti – u bë, Talat Xhaferi (a propos pranohet nga shumë qytetarë, analistë, etj. si një ndër Kryetarët të Parlamentit më të mirë që ka pasur shteti – e theksoj këtë për ata që dyshojnë në kapacitetin e kuadrove shqiptare për të kryer funksione të larta shtetërore). Shqiptar patëm edhe Ministër të Mbrojtjes (dy herë), të Punëve të Brendshme – funksione këto që para ardhjes te Ali Ahmetit nuk i ka pasur asnjë parti shqiptare që ka qenë në pushtet!
(Interpolimi nr. 3 – Pas vdekjes të diktatorit spanjoll Franco (Franko) dhe demokratizimit të Spanjës, katalonasit – gjatë kohë të diskriminuar totalisht, me gjuhën katalonase të ndaluar zyrtarisht, me masa kolonialiste që Frankoja ndërmerrte kundër krahinës autonome të Katalonies – si psh ndërtimi i një kapaciteti petrokimik gjigand në bregdetin katalonas ( e kam pare me sytë e mi, në Taragonë), masë kjo katastrofale për ambientin jetësor por që i shërbente diktatorit për kolonizim te Katalonisë me krah punëtor etnik spanjoll që solli nga viset më të pazhvilluara të Spanjës, siç është Andaluzia (a propos kësaj strategjie, të njëjtën e përdorën serbët me kolonët serb dhe malazez, që i sollën në Maqedoni dhe Kosovë ne sh. XX, dhe rasti i ngjashëm i termoelektranes Osllomej afër Kerçovës). Viteve 1990-ta, partia katalane “Convergencia Democrática de Cataluña”, megjithëqë kishte një numër të vogël deputetësh në parlamentin spanjoll, u bë partner i paevitueshëm në koalicionet qeverisëse në Spanjë- qoftë të udhëhequra nga parti djathtiste, qoftë majtiste – thjesht, Elementary dear Ëatson, ëer shkak te numrave : as Partia Popullore e as ajo Socialiste, nuk kishin numër të mjaftueshëm per te qeverisur vetëm! Sa herë që negocohej qeveria dhe programi qeveritar, partia katalane vinte në tavolinë kërkesat e saja, për të arritur sot në zyrtarizim të plotë të gjuhës në Kataloni (tani është gjuhë e pare zyrtare, para spanjishtes) dhe shumë e shumë te arritura qe avancuan pozitën e Kataloniës dhe të katalanasve.)

U tha këto ditë : “Deklaratë skandaloze e Ali Ahmetit” “Shqiptarët mund të kërkojnë Kryeministër kur te jenë të barabarte” “Kryetar shqiptar por asnjëherë nga BDI” dhe thënie të ngjashme që definitivisht u drejtohen aktivistëve partiak në fushatë zgjedhore dhe vështirë që mund të argumentohen logjikisht dhe të jenë të pranueshëm për qytetarët-votuesit shqiptar që nuk mund të jenë kundër një kryeministri shqiptar. Sidoqofte duhen komentuar, edhe një herë me Elementary dear Watson:
– Ali Ahmeti, që nga fillimi i veprimtarisë politike në vend, deklaroi se BDI është parti tematike për zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit – marrëveshje kjo e garantuar nderkombëtarisht. Pikat e marrëveshjes u kryen, diku më shumë e diku më pak se sa u shkruan – shkollimi universitar shtetëror ne gjuhën shqipe, zyrtarizimi i përdorimit te flamurit kombëtar, decentralizimi, ndarja e re territoriale, përfaqësimi i drejtë, etj. ; por, për të qenë shqiptarët të barabartë, nevojitet edhe më shumë punë dhe veprime konkrete në sferën sociale, ekonomike, etj. E kush më mirë dhe më me zell do t’i printe kësaj detyre të vështirë se sa një Kryeministër shqiptar?! Kush (sipas anketave shqiptarët janë më shumë se gjithë të tjerët në përkrahje të përcaktimit te shtetit për NATO dhe BE) do garantojë konsolidimin dhe veprimet e mëtejme të shtetit në drejtim të aleancave Euro-Atlantike se një kryeministër shqiptar?

– Ali Ahmeti deklaroi se do bëhet urë për të realizuar këtë qëllim dhe për të pasur kryeministër shqiptar dhe jo “Kryeministër nga BDI, dhe as “unë, Ali Ahmeti, kryeministër”.

Do të kisha dashur një debat në faqet e “Kohës” për këtë temë (jo nëpër rrjete sociale dhe media të tjera), ajo që shkruhet në letër mbetet, ndërsa nëpër televizione dhe rrjete sociale në internet do të zhduket një ditë. Siç thoshin Latinet e vjetër: “Verba volens scripta manent” (fjalët fluturojnë, e shkruara mbetet). Do të merrja pjesë nëse debatohet për temën në fjalë, dhe jo në debate jashtë temës si, p.sh., për të bërat e pabërat e BDI-së, për personalitetin e Ali Ahmetit apo timin. Nuk i largohem debatit për këto tema, por të dihet prej më parë se për çfarë debatojmë.