Maqedonia e papërgatitur për zgjedhje të reja


a nuk është e përgatitur për zgjedhje të parakohshme parlamentare, vlerëson kreu i Qendrës për Liri, Civil, Xhabir Deralla. Megjithatë ai shton se ekipet e Civilit, në terren kanë konstatuar përgatitje të caktuara nga partitë për zgjedhje eventuale parlamentare, në një kohë me ato presidencialet.

“Vlerësojmë se me sistem të këtillë, në situatë të këtillë politike, sociale dhe ekonomike por edhe në kontest rajonal, zgjedhjet e parakohshme vetëm do të dëmtojnë proceset e përgjegjshme dhe serioze në të cilat ndodhet vendi. KSHZ-ja nuk do të reformohet ashtu si u përshtatet standarteve demokratike të nevojshme për zgjedhje. Ajo që shohim është se KSHZ-ja edhe më tej do të jetë mjet për interesa politike, larg detyrës për t’u kujdesur për të drejtën e votës dhe ligjshmërinë e procesit zgjedhor”, pohoi Xhabir Deralla, Qendra për liri “Civil”.

Deralla thotë se asgjë nuk është bërë për të penguar manipulimet që bëhen me financimin e partive politike. Ish kryetari i KSHZ-së Aleksandër Novakovski nuk e cilëson si të duhur kthimin e sistemit të vjetër të anëtarëve të KSHZ-së por edhe paralajmërimet për shëndërrimin e këtij institucioni në organ administrativ. Ai megjithatë shton se humbja e kohës, e ka lënë KSHZ-në të papërgatitur për zgjedhje eventuale kurse akoma më problematik do të jetë Referendumi i paralajmëruar.

“Çështja më e rrezikshme është që s’kemi KSHZ kurse paralajmërohet referendum. Tani pyes unë, kush e pastron listën zgjedhore si element kyç për referendumin. Të mos flasim tani për zgjedhje të parakohshme”, deklaroi Aleksandër Novakovski, ish kryetar i KSHZ-së.

Analisti Sasho Ordanovski parashikon që në vjeshtë vendi do të futet në një krizë tjetër politike të nxitur nga opozita, e cila do të kulmojë me vendim për zgjedhje të parakohshme në 6 deri 12 muajt e ardhshëm. Ai shtoi se sistemi zgjedhor aktual, fuqizon partitë e mëdha.

“Modeli zgjedhor në Maqedoni është i tillë që praktikisht i promovon koalicionet e mëdha dhe u përshtatet partive të mëdha prandaj nuk është e çuditshme që edhe sot askush nuk dëshiron të bisedojë për një njësi zgjedhore, lista të hapura e kështu me radhë, sepse partive të mëdha nuk u përshtatet ta lëshojnë kontrollin dhe ndikimin mbi partnerët më të vegjël me të cilët dalin në zgjedhje dhe marrin vota nga grupet e ndryshme në shoqëri”, tha analisti Sasho Ordanovski.

Në 27 vitet e fundit, Maqedonia ka kaluar 21 procese zgjedhore. Debati ku u shpalosën këto pikëpamje, ishte i organizuar nga Civil, me temë “Alarm: Zgjedhje të lira, kusht për të cilin (nuk) negociohet”.