Osmani në Bllacë: Trenat të kthehen në simbol të bashkëpunimit në mes popujve

Në nderim të 21-vjetorit të çlirimit të Kosovës, e në kujtim të vuajtjeve të popullit shqiptarë, kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani e shoqëruar nga zëvendëskryeministri i Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani dhe kryetari i Hanit të Elezit, Rufki Suma pasditen e së premtes vizituan Trenin e Eksodit në Bllacë.

Me këtë rast, kryeparlamentarja Osmani, duke kujtuar shtetet të cilat gjatë luftës hapen dyert për popullin shqiptarë, tha se tash e tutje trenat sikur ky i Bllacës mos të shndërrohet në simbol të dhimbjes por të kthehen në simbol të bashkëpunimit ndërmjet popujve.

“Mesazhi që dëshirojmë të përçojmë sot nga këtu në radhë të parë është mesazh i paqes për ta kuptuar se sa e rëndësishme është për secilin qytetarë të Kosovës, që sot 21 vite pas ndihmës që na e dhanë aleatët tonë, ne jetojmë në paqe dhe jetojmë të lirë. Mesazhi i dytë është i bashkëpunimit rajonal sepse në kohët më të rënda diku rreth mbi 1 milion qytetarë të Kosovës u dëbuan nga shtëpitë e tyre dhe ata u strehuan, çoftë në Maqedoninë e Veriut, çoftë në Shqipëri e Mal të Zi, e në vende të tjera të BE-së, deri në SHBA e në Zelandën e re, prandaj duam t’i falënderojmë shtetet dhe shtëpitë që hapën dyert për ne. Tash e tutje trenat sikur ky që e kemi prapa mos të jenë më simbol i dhimbjes siç kanë qenë në vitin 99 kur u dëbuan gati të gjithë qytetarët tanë, por të kthen në simbole të bashkëpunimin e lidhjeve në mes të popujve”, deklaroi Osmani.

Ndërsa, zëvendëskryeministri i Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, tha se historinë e Bllacës e kanë borxh ta mbajnë të gjallë për gjeneratat e reja.

Derisa fletë për gjenocidin në Bllacë, ai theksoi se Kosova e ka mbështetjen e Maqedonisë së Veriut, gjatë rrugëtimit në NATO dhe BE.

“Krahas traumës që kaloi populli i Kosovës ishte ajo një periudhë e hidhur edhe për të gjithë shqiptarët në rajon, veçanërisht për ata të Maqedonisë së Veriut të cilët ishin dëshmitar të drejtpërdrejtë të gjenocidit të kryer ndaj vëllezërve dhe motrave të Kosovës…Imazhet e tmerrshme të atij gjenocidi kanë lënë gjurmë në ngritjen e personalitetit tonë por edhe si politikan dhe tash që jemi krijues të aktiv të realitetit, e kemi borxh që këtë histori ta mbajmë gjallë dhe të dukshme për gjeneratat që vinë…Në emër të Qeverisë së Maqedonisë, unë dua të jap mbështetje për rrugëtimin e Kosovës drejtë anëtarësimit në NATO dhe BE, kjo është aspiratë e përbashkët për të gjithë shqiptarët ku do që jetojnë”, tha ai.

Kurse, kryetari i Hanit të Elezit, Rufki Suma, u shpreh falënderues ndaj të gjithë atyre që dhanë jetë për liri e pavarësi të Kosovës.

“Dua të falënderoj të gjithë ata që dhanë kontributin dhe jetën e tyre që ne të jemi të lirë, mandej invalidë e veteranë por edhe gjithë ai popull shqiptar si në Maqedoni, ashtu edhe në Kosovë që strehuan familjet tona, kur pushtuesi serb i largojë me dhunë nga shtëpitë e tyre”, tha Suma.

Pas shumë përpjekjeve shekullore për liri dhe luftës së UÇK-së dhe intervenimit të NATO-s, shqiptarët e Kosovës u çliruan 21 vite më parë.