Rritet numri i të prekurve nga Koronavirusi, mbushen kapacitetet e spitaleve


Në Klinikën Infektive gjatë 24 orëve të fundit janë pranuar edhe 16 pacientë, duke e çuar në 93 numrin e personave të shtruar në spital. Në këtë repart të lira janë edhe 17 shtretër. Autoritetet thonë se në fundjavë nuk përjashtohet mundësia e aktivizimit të hapësirave shtesë modulare në oborrin e klinikës. Aktualisht, në oksigjeno terapi janë 44 pacientë, por nuk ka asnjë tjetër në frymëmarrje artificiale.

Klinika për Sëmundje Infektive në QKU “Nënë Tereza”
– 93 të shtruar nga 110 shtretër
– 44 pacientë terapi invazive

Deri në orët e mëngjesit, në Spitalin “8 Shtatori” në Shkup janë pranuar edhe 16 pacientë të tjerë. Kurse, gjithsej 60 pacientë po kurohen aktualisht nga ky virus atje. Në frymëmarrje artificiale janë 10 pacientë dhe 11 të tjerë në gjendje shumë të rëndë shëndetësore.

Spitali “8 Shtatori” në Shkup
– 16 pacientë të posa pranuar, 60 të shtruar
– 10 në makineri për frymëmarrje artificiale

Bosh nuk mbetën as spitalet nëpër qytetet e tjera. Sipas të dhënave të Ministrisë së Shëndetësisë, në Spitalin e Manastirit janë duke u kuruar 25 pacientë. Në Spitalin e Shtipit 23 pacientë, kurse në repartet infektive të Tetovës, Ohrit, Velesi, Kumanovës dhe Prilepit janë të shtruar gjithsej 31 pacientë pozitiv me Covid-19./Adnan Qaili