Bankat kërkojnë afat për përgatitjen e kartelave pagesore


Bankat komerciale i kanë kërkuar qeverisë të zgjasin afatin për përgatitjen e 325,000 kartelave të pagesës. Jozyrtarisht, Alsat zbulon se afati i fundit i Qeverisë që të gjitha kartelat të jenë në duart e qytetarëve është deri më 3 korrik. Për bankat është një periudhë e shkurtër e realizimit të të gjithë procesit. Në mënyrë që kjo masë të zbatohet, bankat së pari do të duhet të përgatisin mbi 325 mijë kartela dhe të hapin llogari speciale, të dedikuara për secilin qytetar që i plotëson kushtet. Derisa bankierët kërkojnë një zgjatje minimum prej dy javësh, ministri i Ekonomisë Kreshnik Bekteshi pohon se qytetarët do ti marrin kartelat brenda afatit të caktuar.

Me dorëzimin e listës në banka dhe te Sekretariati i Përgjithshëm, të gjitha kartelat e pagesave do të përgatiten me kohë nga bankat komerciale dhe brenda afatit të përcaktuar, të gjithë qytetarët do të jenë në gjendje ti përdorin kartelat pagesore – tha Kreshnik Bekteshi, Ministër i Ekonomisë.

Sipas informatave të Alsat, qytetarët që nuk do të jenë në listë për të marrë një kartelë pagesore, dhe i plotësojnë kushtet, do të duhet të kontaktojnë Sekretariatin e Përgjithshëm të Qeverisë. Përndryshe, kartelat pagesore do t’u jepen katër kategorive të qytetarëve. Raste sociale dhe të papunësuarit, personat që do të marrin një kupon për pushime dhe në katër muajt e parë kanë pasur të ardhura totale neto deri në 60,000 denarë, të rinjtë nga 16 deri në 29 vjeç që shkollohen, si dhe staf mjekësor. Çdo kategori do të marrë një shumë të ndryshme të ndihmës njëherëshe, duke filluar nga 3.000 deri në 9,000 denarë. Paratë nga kjo kartelë mund të shpenzohen vetëm për blerjen e produkteve dhe shërbimeve vendase.