Qindra italianë në Romë kanë kërkuar largimin e kryeministrit Xhuzepe Konte duke e mbajtur atë përgjegjës për gabimet politike prej pandemisë, që kanë dëmtuar ekonominë dhe vendet e punës.
Qindra protestues dhe tifozë futbolli në Itali kanë demonstruar kundër qeverisë duke kërkuar largimin e kryeministrit Xhuzepe Konte për mënyrën si ai e ka administruar pandeminë e koronavirusit në vend.
Me maskat mbrojtëse në fytyrë, pjesëmarrësit denoncuan dëmet në ekonomi dhe në vende pune si pasojë e krizës epidemike dhe reagimit politik.
Vendi raporton deri tani mbi 230 mijë të diagnostikuar dhe më shumë se 33 mijë të vrarë nga Covid-19.
“Jemi këtu për t’ia treguar botës se sot në Itali çdo kategori punëtorësh është dërrmuar dhe shkatërruar nga qeveria që në fakt nuk po vepron në interesat e italianëve. Kjo demonstratë nuk ka përkatësi politike, të gjithë këtu duan t’i rikthejnë Italisë ligjin dhe dinjitetin.”
Por protesta e së shtunës në kryeqytetin italian shumë shpejt përshkallëzoi në përplasje fizike.
Konfrontimet e para nisën mes vetë demonstruesve.
Shkak u bë intervistimi nga gazetarët i një prej pjesëmarrësve, që sipas tubuesve nuk i ishte autorizuar për të folur si çdo pjesëmarrës tjetër.
Shkëmbimet e fjalëve u lanë vendin përdorimit të shisheve dhe gurëve ndaj forcave që po ruanin rendin.
E kapur në befasi policia u kundërpërgjigj me gaz lotsjellës.
Përpos ultrasve italianë raportohet se në protestë u bashkuan edhe militantë të ekstremit të djathtë.
Përplasjet u shuan brenda pak minutave ndërsa disa persona u shoqëruan në lidhje me ngjarjen.
Italia ka hyrë në fazën e fundit të lehtësimit të masave shtrënguese kundër pandemisë, duke lejuar këtë javë udhëtimet midis rajoneve italiane dhe duke rihapur kufijtë e vet ndërkombëtarë.
Më herët janë hapur dyqanet, baret dhe restorantet ndërsa pikat turistike kanë pritur turistët e parë.