Ballina Lajmi i Dites Banka Botërore: Defektet e vendeve të Ballkanit në sistemin shëndetësor gjatë pandemisë...

Banka Botërore: Defektet e vendeve të Ballkanit në sistemin shëndetësor gjatë pandemisë COVID-19


Banka Botërore gjatë kësaj kohe të pandemisë COVID-19, ka vërejtur dhe rekomandon që në të ardhmen, qeveritë e Ballkanit Perëndimor do të duhej të sigurojnë fonde për të financuar sistemet shëndetësore në mënyrë që ato të jenë më të forta përballë epidemive, do të duhej ta mbështetin personelin mjekësor me pajisje dhe formim për trajtimin e pacientëve infektivë, si edhe të mbrojnë dhe fuqizojnë zinxhirët e furnizimit për barna, pajisje dhe materiale thelbësore.

Banka Botërore në raportin “ Ndikimi i COVID-19 në sistemet shëndetësore në Ballkanin Perëndimor”, ka theksuar se shpenzimet për frymë për sistemet shëndetësore janë ndjeshëm më të ulëta se mesatarja e BE-së dhe mënyra me të cilën shpenzohen fondet e pakta është jo efikase ose jo e harmonizuar me profilin e sëmundshmërisë në rajon. Kjo e bën këtë rajon të cenueshëm nga shpërthime të ardhshme epidemish, sidomos duke pasur parasysh se pacientët me sëmundje jo ngjitëse janë më të cenueshëm.

Në të ardhmen, sipas BB, qeveritë e Ballkanit Perëndimor do të duhet të investojnë në mbylljen e boshllëqeve sa i takon gatishmërisë për pandemitë, të cilat janë identifikuar nëpërmjet vlerësimeve ndërkombëtare.

“Ndërkohë që bëjnë investime në sistemet shëndetësore, do të jetë me rëndësi që qeveritë e Ballkanit Perëndimor të identifikojnë mundësi për përmirësim të cilësisë së kujdesit dhe të efikasitetit dhe efektivitetit të realizimit të shërbimeve. Modelet me përshtatje, të cilët mbështeten në telemjekësi dhe fuqizojnë kujdesin parësor, mund të arrijnë t’u japin mundësi sistemeve shëndetësore të qëndrojnë të fortë përballë COVID-19, duke sjellë ndërkohë përfitime afatgjata për sistemet shëndetësore dhe për pacientët e mbështetur prej tyre. Deri më 20 maj, në rajon raportoheshin 17.152 raste të konfirmuara dhe 543 vdekje. Por, problemet me zbulimin e rasteve dhe me kryerjen e analizave lënë të kuptosh se shifrat mund të jenë më të larta.

Në mbarë rajonin, qeveritë kanë shpallur gjendje të jashtëzakonshme dhe masa të mbylljes të cilat kanë ndihmuar në lehtësimin e barrës imediate mbi sistemet shëndetësore. Tentativat për t’i lehtësuar shpejt masat e mbylljes kanë të ngjarë të sjellin një valë të re infeksionesh dhe një epidemi të dytë, sistemet shëndetësore do të duhet të përgatiten për kundërpërgjigje afatshkurtra dhe afatmesme. Një problem imediat është rritja e çmimeve. Në kushte normale, kostoja e një shtrati në terapi intensive është rreth 30,000 dollarë. Por, me rritjen e kërkesës globale dhe të çmimeve, sigurimi i materialeve është shndërruar në një garë të ethshme. Vendet e rajonit i janë kthyer diplomacisë ndërkombëtare për sigurimin e furnizimeve, nëpërmjet marrëdhënieve dypalëshe dhe shumëpalëshe”, thuhet në raport.

BB thotë se fokusi duhet të jetë në ndalimin e transmetimit, administrimin e buxheteve, mbrojtja e pacientëve të cenueshëm, sigurimi i realizimit të shërbimeve dhe rifitimi i një normaliteti të ri.

“Po kaq jetike janë funksionet qendrore të shëndetit publik, si mbikëqyrja, kryerja e analizave, gjurmimi i kontakteve dhe izolimi, të cilat janë të thelbësore për ndalimin e transmetimit. “Vallëzimi” midis masave frenuese për ta parandaluar ridaljen e COVID-19 dhe për të ndihmuar në rigjallërimin ekonomik do të varen jo vetëm nga trajtimi por edhe nga efektiviteti i funksioneve qendrore të shëndetit publik. Me rëndësi kritike do të jetë vendimmarrja se si dhe ku të investohet. Megjithëse secili vend duhet të marrë në konsideratë sukseset dhe vështirësitë e veta”, thuhet në raport.