Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj ka reaguar sot në lidhje me rastin e zbuluar dje të shefit të postës së policisë së Fushë-Arrëzit, Izmir Duraku, i cili u arrestua nga SHÇBA, pas denoncimit të një vajze se ishte përdhunuar nga ai.
Nga inspektimi në doganën e Hanit të Hotit, Lleshaj e cilësoi si gjest të ulët ngjarjen. Në vitin 2015 kur dhe ka ndodhur abuzimi, Duraku ka qenë inspektor në policinë e Shkodrës, ndërsa më pas është emëruar shef i postës policore në Fushë Arrëz.
Ministri Lleshaj tha se duhet që të kemi një qasje tjetër për policinë pas këtyre rasteve, ndërsa paralajmëroi ashpërsimin e masave ndëshkuese. Ai tha gjithashtu se në Shqipëri nuk mund të rikthehet më dënimi me vdekje.
Bëhet fjalë për një ngjarje të vitit 2015 e përpara. Ku një vajzë ka rënë pre e dhunës seksuale nga edukatorët e saj në shtëpinë e fëmijës në Shkodër, me sa jam i informuar deri tani. Por më vonë ka rënë pre edhe e një sjelljeje të ulët, pa dinjitet, kriminale dhe të papranueshme të një punonjësi policie, i cili do të duhet që të mbrohet përpara ligjit. Ndoshta ka ardhur koha të mendojmë për të rishikuar në thelb qasjen tonë në drejtim të mbrojtjes së viktimave të mundshme të dhunës seksuale dhe kryesisht të fëmijëve dhe të miturve.
Duke shtuar penalitetet në tërësi, por sidomos duhen shtuar, shumëfishuar, çuar në ekstrem penalitetet për kujdestarët. Sepse me sa shohim dëmin dhe gjëmën në shpesh raste na ka ardhur prej atyre, prej rojeve, prej kujdestarëve, prej atyre që zëvendësojnë prindërit dhe kjo është për të ardhur keq.
Sigurisht që nuk është thjesht çështje e ligjit.
Nuk është çështje thjesht e masave penale, është një çështje sensibilizimi shoqëror. Ne na duhet të reflektojmë thellë si shoqëri për t’u distancuar ndaj këtyre rasteve, për të forcuar frontin e bashkëpunimit qytetar në mënyrë që kjo kategori personash, që nuk e meritojnë ndoshta edhe emrin e njeriut, të mund të kufizohet, izolohet dhe të bëhet e padëmshme.
Është një çështje e stër-diskutuar, dënimi me vdekje në Shqipëri është i vdekur. Në kuptimin është i vdekur dhe i pakthyeshëm, sepse nuk është ky mekanizmi. Mekanizmi është parandalimi, sensibilizimi, dënimi i merituar, por vdekja nuk është zgjidhje. Në përgjithësi shtetet në Europë kanë adoptuar prej kohësh formulën që shteti nuk kthehet në kryekriminelin më të madh për të vrarë. , deklaroi Lleshaj nga Shkodra”, u shpreh ministri i Brendshëm.
Lleshaj foli edhe për OFL duke thënë se nuk është një dështim pasi rastet e kthyera mbrapsht nga SPAK janë kthyer për rivlerësim nuk ka heqje të sekuestros.
“Edhe rastet ku mund të ketë diçka për t’u diskutuar mund të kthehen sepse ne nuk jemi për të bërë gjueti shtrigash nëpër Shqipëri. Brezit të ri dhe gjithë shoqërisë duhet t’i japim mesazhe që krimi do të goditet dhe nuk do të ketë vend. Pavarësisht se SPAK i kthen për arsye të ndryshme, paplotësim i ndonjë dokumenti çështjet vazhdojnë dhe do të përballen me gjykatën. Ka edhe raste që mund t’i kenë bërë jo përmes krimit dhe shumë mirë që kthehen mbrapsht nëse nuk e meritojnë”, deklaroi ai.