Brenda Klinikës infektive në Shkup, pacientët e infektuar me virus korona zhvillojnë betejën e tyre të përditshme për të mundur sëmundjen. Disa prej tyre tashmë kanë kaluar fazën kritike dhe janë në gjendje më të mirë, kurse disa kanë nevojë për aparate oksigjeni.
Sa kohë është me oksigjen?
“Gjatë gjithë kohës. Ndonjëherë mundet edhe vetë. Tani i ndihmon aparati. D.m.th. nuk është në respirator, nuk është në kujdes intensiv.”
“Ka 11 ditë që jemi këtu. Jemi të kënaqur me personelin mjekësor. Kujdesen shumë për ne.”
“Në fillim kisha dhimbje të fytit dhe më pas rritje të temperaturës. Bëra test dhe doli pozitiv dhe më pastaj sëmundja filloi të avancojë.”
“Edhe unë nuk besoja se ka korona por ja.”
Megjithatë, tani besoni?
“Besoj. Po.”
Infektologu Ilir Demiri fton qytetarët që kanë simptoma, të mos i fshehin ato, me qëllim të trajtimit në kohë.
“Në parim, faji nuk është i askujt. Unë dua fillimisht njerëzit t’i siguroj për një gjë, se të jesh i sëmurë nuk është turp, pa marrë parasysh se çfarë sëmundje ke. Sëmundja vjen vetë, nuk duhet ta ftosh. U lutem të gjithë bashkëqytetarëve që të mos i fshehin simptomat dhe ata që kanë nevojë për kujdes shëndetësor t’u drejtohen institucioneve shëndetësore – deklaroi Ilir Demiri, infektolog.
Numri i shtuar i testimeve, së fundmi, ka zgjatur edhe procedurën e përpunimit të rezultateve.
Sa kohë merr për një pacient të testohet?
“10 deri 15 minuta.”
D.m.th. një rezultat brenda 24 orëve?
“24 orë. Për arsye të frekuencës së madhe të testimeve, është e pamundur që t’i bëjmë të gjithë përnjëherë.”
Fatlume Dervishi