16 kamionë serbë hyjnë me dokumente “Republika e Kosovës”


Pasi në dokumentet e tyre iu kanë referuar Kosovës si Republikë, 16 kamionë me mallra nga Serbia kanë hyrë në Kosovë.

Por 13 kamionë të tjerë që nuk u ishin përmbajtur masave të reja të reciprocitetit, nuk janë lejuar të futen në Kosovë.

Sipas zëdhënësit të Doganave të Kosovës, Adriatik Stavileci, vendimi ka dhënë efekte, duke kthyer mbrapa disa mauna, por nuk ka ndaluar importet në tërësi nga ky shtet.

Vendimi për shtim të masave të reciprocitetit obligon Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinës të përdorë stemën dhe emrin Republika e Kosovës në certifikata fitosanitare dhe veterinare.

Kriteret e vendosura me vendimin e Qeverisë atëherë në detyrë, sipas zëdhënësit të kësaj agjencie, Lamir Thaçi, janë duke u zbatuar gjatë kontrollit të brendshëm dhe atij kufitar.

KOHA ka provuar që të marrë një qëndrim nga ana e Ministrisë së Punëve të Jashtme, përkatësisht nga Zyra ndërlidhëse e Kosovës në Beograd se sa kompani serbe kanë kërkuar leje nga zyra për eksportin e mallrave në Kosovë sipas rregullave të reja tregtare, por ajo nuk është përgjigjur gjatë ditës së mërkurë.

Përveç vendimit, Ministria e Ekonomisë ka miratuar një urdhëresë për zbatimin e masave të reciprocitetit në marrëdhëniet tregtare me Serbinë.

Me të i kërkohet Inspektoratit të Tregut t’i largojë nga tregu të gjitha mallrat nga Serbia që nuk janë në përputhje me Kushtetutën e Kosovës dhe legjislacionin në fuqi, duke u kushtuar vëmendje të veçantë shenjave kombëtare të konformitetit.

Qeveria e udhëhequr nga Kurti, më 31 mars, kishte marrë vendim për heqjen e taksës dhe vendosjen graduale të reciprocitetit, ndërsa pak para largimit nga pushteti i ashpërsoi ato.

Heqja e taksës ka ndikuar që importet nga Serbia për dy muaj të jenë afro 35 milionë euro, ndërkohë eksporti vetëm rreth 3 milionë euro.