Lazim Destani bashkon sipërmarrësit e diasporës në ndihmë të vendlindjes


Anëtari i Këshillit Koordinues të Diasporës, Lazim Destani sërish ka ndërmarrë një nismë që i vjen në ndihmë vendlindje. Së bashku me sipërmarrës të tjerë shqiptarë ai ka siguruar 12 mijë teste të analizave për diagnostikimin e koronavirusit të cilat janë dhuruar në Kosovë.

Filantropi dhe Presidenti kompanisë ”Ecolog International” Lazim Destani, pronari i agjencisë ”EuroKoha” Remzi Ejupi dhe Nazmi Viqa kanë arritur që të sigurojnë një sasi jo të pakët testesh në këtë periudhë të pandemisë globale Covid-19.

1000 prej këtyre testeve do të shkojnë si donacion për shqiptarët e Luginës së Preshevës, si shenjë përkrahjeje për bashkëkombasit e këtij rajoni në jug të Serbisë.

Testet e dhuruara do të jenë padyshim një kontribut për shqiptarët e Kosovës, por edhe një formë e veçantë falenderimi për pjesëtarët e personelit mjekësor të cilët kanë dhënë dhe japin një kontribut të jashtëzakonshëm për parandalimin dhe mjekimin e Covid-19.

Jo më larg se dy javë më parë Lazim Destani me kompaninë e tij ”Ecolog International” i erdhi në ndihmë mijëra familjeve në Tetovë të prekura nga kriza e pandemisë Covid, duke i dhuruar kupona. Me anë të tyre përfituesi mund të blinte në marketet e përzgjedhura produkte ushqimore, apo edhe ato të higjienës.

Destani dhuroi gjithashtu mijëra tableta për nxënësit në nevojë të Shqipërisë,Kosovës dhe Maqedonisë së veriut në mënyrë që ata të ndiqnin mësimin online që po zhvillohej përgjatë periudhës së karantinë.