Polici që kupton protestuesit: Keni të drejtë që jeni të inatosur


Në shumë shtete amerikane ka pasur trazira ditët e fundit, pasi një polic në Mineapolis i qëndroi me gjurin në qafë një afro-amerikani të paarmatosur për plot 8 minuta, gjatë një procedure arrestimi. I arrestuari humbi jetën disa orë më pas.

Në kohën që Garda Kombëtare është mobilizuar për të mbajtur nën kontroll protestuesit, një video e xhiruar me celular tregon një oficer policie që bashkohet me ndjenjën e demonstruesve.

Ai u thotë disa personave se e kupton zemërimin e tyre dhe shton se me djemtë e tij diskuton shpesh mbi brutalitetin policor.

Policët po i kërkonin protestuesve me anë të altoparlantëve që të largoheshin, por më pas e kuptuan që kjo nuk ishte gjëja më e mirë për t’u bërë.

“Ajo që ndodhi ishte e gabuar, prandaj e lamë. Altoparlanti, ato që po thuheshin… Prandaj vendosëm që t’ju lejonim që të qëndronit këtu, që të qëndronit në rrugë. Vendosëm që t’ju linim të shprehnit zemërimin tuaj pasi keni të drejtë që jeni të inatosur”, thotë polici.

Një protestues e ndërpret policin duke i thënë: “Shokët e tu nuk e mendojnë kështu”.

“Prandaj i thashë që ta qepnin gojën”, ia kthen polici, që merr ovacionet e turmës.