Hajdari – Ramës: Jeni bërë si Gruevski


Gjatë seancës plenare ku ishte thirrur kryeministri Rama në interpelancë për Teatrin Kombëtar, deputetja e opozitës, Rudina Hajdari, i kërkoi të shpjegonte zinxhirin e urdhrave që sollën shembjen e godinës në orën 4:30 të mëngjesit të së dielës së 17 majit.

“Jeni bërë si Nikola Gruevski, që e shkatërroi qendrën e Shkupit dhe e bëri siç e deshi vet, duke ngritur skulptura të pakuptimta. Por edhe ju do të keni të njëjtin fund si Gruevski dhe do të mbaheni mend si ai”, tha Hajdari.

Kryeministri refuzoi t’i përgjigjej: “Unë i kam mbaruar fjalët e mia për teatrin, nuk kam asgjë për të thënë. Në atë protestë kanë qenë gjithë anëtarët të familjes së komunitetit teatror dhe në krye të asaj proteste nuk ishin dy Budinat, por Robert Ndrenika dhe Arben Derhemi”.

Rama më pas citoi qëndrimet e dhjetëra artistëve që ishin pro ndërtimit të një godine të re dhe shembjes së asaj ekzistuese. “Siç jeni ju dhe ata që kanë ikur nga këtu, jeni jashtë historisë. Jeni një zhvillim konfuz dhe anormal në një korsi paralele me historinë. Por jeni në kundërvajtje”, u shpreh Rama.

“Uroj që një ditë të jeni në bankën e të akuzuarve”, ishte përgjigjja e Hajdarit. “Mos ndoshta e keni shembur teatrin në shkelje të ligjit. Nuk mund t’ia transferonit pronësinë e godinës Bashkisë së Tiranës. Keni dashur ta bëni këtë më parë me Teatrin e Kukullave, por Gjykata Kushtetuese nuk iu la. Ju po kontrolloni të tashmen sepse keni obsesion me të kaluarën”.