Nëse edhe tani muftinitë dhe hoxhallarët do të heshtin, besoj se komuniteti musliman në RMV-re do të konstatojë se edhe këta janë bashkëfajtorë me Reisin. Them se, para se t’i dënojë historia edhe Ahireti, besoj fuqishëm se këta të lartë theksuarit do t’i dënojë populli me padëgjueshmëri qytetare dhe mos dhënie të antarësisë.
Doc. dr. Muhamed JUSUFI
E veçanta e këtij Fitër Bajrami ishte urimi shtesë ironik i martesës së Reisit të BFI-së në RMV-re! Jo vetëm muslimanët e rajonit, por edhe jo muslimanët ngelën të hutuar, të pa komente pasi u bëmë gaz i botës. Martesa e Reisit po komentohet nëpër oda, rrugë, zyra, lajme, gazeta si dhe në të gjitha mediat e rrjeteve sociale në mënyra të ndryshme. Thashethemet e shumta të mëdha shkaktuan shqetësim të madh tek besimtarët muslimanë në RMV-re, dhe kjo më bëri që edhe unë të shkruaj ndonëse asnjëherë më parë nuk jam marrë me problemet e brendshme të BFI-së… Islami në përgjithësi dhe muslimanët në veçanti nuk e meritojnë një tallje të tillë.
z. Reis i BFI-së në RMV-re,
Në mënyrë aksiome, askush nuk ka te drejtë të pyesë askënd për martesën e dikujt. Kush diskuton martesën tuaj është i ulët, mirëpo, martesa juaj nxori thashetheme të shumta brenda komunitetit tonë musliman dhe më gjerë në rajon. Përderisa u bë temë aktuale martesa juaj nuk hezituan pa u përkujtuar edhe shumë afera të tjera të shkaktuara tash e 40 vjet, prej të cilave shumë prej tyre nuk më lejon etika ime të merrem me to, sidomos në këtë letër të hapur.
Si përfaqësues i muslimanëve në RMV-re, detyroheni t’i drejtoheni besimtarëve dhe të demantoni në prani të muftinive të rretheve të gjitha këto thashetheme. T’u tregoni qytetarëve të RMV-re qofshin musliman ose jo, se ndaj Reisit të BFI-së dhe ndaj muslimanëve në këtë Republikë po ushtrohet dhunë nga individë, grupe ose qarqe të ndryshme politike, fetare ose edhe nga nëntoka e errët.
Që këtu, si qytetar i kësaj Republike, i bëj thirrje institucioneve përgjegjëse të shtetit që të merren seriozisht me rastin e këtyre aferave ku po nëpërkëmbin dinjiteti i qytetarëve të kësaj Republike, sepse seriozisht e kanë rënduar vetë personalitetin e Reisit, dhe me të, edhe të mbarë muftinive, hoxhallarëve dhe gjithsesi edhe besimtarëve. Çdo neglizhencë e institucioneve shtetërore do të ndikojë në rëndimin edhe më të madh të qytetarëve të saj.
z. Reis i BFI në RMV-re, z. Sulejman REXHEPI,
Nëse ju personalisht nuk do të këmbëngulni që prokuroria e shtetit të merret me këto afera, atëherë, ju kujtoj se këta nuk kanë pse të merren me to. Ju, këto thashetheme duhet t’i argumentoni në prokurori dhe ato të vërtetohen se ishin gënjeshtra dhe shpifje. Vetëm pasi ta keni bërë këtë, dhe pasi të jenë dënuar shpifësit, besimtarët do të fillojnë të frymojnë lirshëm dhe vetëm atëherë do të përfitoni përkrahjen e tyre. Nëse këtë nuk e bëni, atëherë të gjitha akuzat do të rëndojnë mbi ju, dhe ju do të mbani përgjegjësinë përpara besimtarëve dhe shtetit se keni nëpërkëmbur rëndë dinjitetin jo vetëm të besimtarëve muslimanë në gjithë rajonin (Shqipëri, Kosovë, Serbi, Mal të Zi dhe RMV-re), por edhe atyre jo muslimanë.
Pse heshtet
Për sa jam i informuar, shumica e këtyre aferave janë në prokurori. Mirëpo, çuditërisht ende nuk janë shqyrtuar, dhe sipas kësaj që shihet vështirë se ndonjëherë do të shqyrtohen. Vallë, çka i bën muftinitë të heshtin, pse këta nuk dalin publikisht t’i mohojnë ose t’i pohojnë këto afera. Pse zëri i profesorëve të fakultetit dhe të medreseve të cilët me vështirësi mbajnë familjet e tyre heshtin!? Pastaj, si është e mundur që dinjiteti i hoxhallarëve të nëpërkëmbet aq poshtë, kur për disa ditë me radhë hoxhallarët e xhamive kërkojnë anëtarësitë, ndërsa xhemati tallet me ta!? Jo nuk i japim anëtarësitë, për dëfrime dhe dhurata të shtrenjta (Rolexa).
Nëse edhe tani muftinitë dhe hoxhallarët do të heshtin, atëherë, besoj se komuniteti musliman në RMV-re do të konstatojë se edhe këta janë bashkëfajtorë me Reisin. Them se, para se t’i dënojë historia edhe Ahireti, besoj fuqishëm se këta të lartë theksuarit do t’i dënojë populli me padëgjueshmëri qytetare dhe mos dhënie të antarësisë.
Prej Allahut të Lartëmadhëruar kërkoj ndihmë dhe udhëzim.