Indikacionet e para mbi efektivitetin e një vaksine potenciale kundër koronavirusit, mund të dihen gjatë vjeshtës, tha kreu i aleancës së vaksinave GAVI.
Seth Berkley tha për gazetën zvicerane NZZ, se botën e pret një rrugë e gjatë deri te vaksina për koronavirusin.
“Fatkeqësisht, ne realisht nuk e dimë se cila vaksinë do të funksionojnë ose nëse do të arrijmë të krijomë një vaksinë. Nëse jemi me fat, ne do të kemi indikacionet e para gjatë vjeshtës mbi efektivitetin e vaksinës potenciale”, tha kreu i GAVI.
“Por, ende ka kohë derisa të miratohet një substancë e cila më pas do të jetë e qasshme në sasi të mëdha për popullsinë e botës”, shtoi ai.
Ai bëri thirrje për bashkëpunim në përpjekjen për të zbuluar vaksinën kundër koronavirusit, duke thënë se duhet të ketë marrëveshje ndërkombëtare për të ndërtuar kapacitete që sa më shpejt të zbulohet një vaksinë e tillë.
Berkley i bëri thirrje Organizatës Botërore të Shëndetësisë që të publikojë udhëzime mbi përdorimin e vaksinës kundër koronavirusit – kur ajo të zbulohet – me qëllim që vaksina të mos shkojë së pari vetëm te të pasurit, por të gjithë njerëzit në nevojë të kenë qasje në të.