Mbi 500 kërkesa të qytetarëve për kompensimin e dëmeve që shkaktuan tërmetet dy vitet e kaluara, kanë hasur në vesh të shurdhër. Familjarët pretendojnë se u takon dëmshpërblim për pasojat e fatkeqësisë natyrore, por thonë se ende asnjë masë nuk është ndërmarrë nga institucionet. Madje disa prej tyre ankohen për anashkalimin e tyre nga komisionet për vlerësim.
Fatin e tillë e ndanë edhe familja Bogoevski nga Shkupi. Kryefamiljari tregon se si është i detyruar që nga pensioni i tyre simbolik, të ndaj të holla për sanimin e plasaritjeve dhe shembjeve të fasadave brenda dhomave ku jeton m bashkëshorten, si pasojë e tërmetit të fuqishëm prej 5.2 shkallësh të Rihterit, që dridhi Shkupin më 11 shtator të vitit 2016.
Askush deri tani nuk ka ardhur që ti sheh dëmet. Ju jeni të parët që po vini këtu. Të gjitha i paguajmë vetë. Nuk na ka dhënë askush asgjë. I kemi mbuluar të gjitha të plasariturat dhe dëmet e shkaktuara. Dëme kemi pasur mjaftueshëm, kemi paguar rreth 20 mijë denarë mjeshtrit që e kanë rregulluar murin brenda. Për na si pesnioner kjo shumë parash është e lartë – thotë Millorad Bogoevski, qytetar i dëmtuar.
Nga Qyteti i Shkupit u distancuan nga ky rast duke drejtuar gishtin kah Qendra për Menaxhim me Kriza dhe nga komunat ku ka pasur dëme. Komunat gjithashtu thonë se detyra e tyre ka qenë vetëm locimi i dëmeve dhe se me procedura e mëtutjeshme i takon Qendrës për Menaxhim me Kriza dhe Qeverisë. Nga kjo e fundit thonë se Komisionit për Vlerësimin e Dëmeve ka bërë vetëm vlerësim ndërsa për dëmshpërblim ndaj fatkeqësive natyrore nuk parashihet obligim ligjor.
Komisioni për Vlerësim i përbërë nga anëtarë të organeve komunale, qendrore dhe sizmolog vetëm kanë bërë vlerësimin e objektit, ndërsa dëmshpërblim do të marrin vetëm ata që pronat e tyre i kanë pasur të siguruara. Roli i Qendrës për Menaxhim me Kriza në këtë procedurë ka qenë vetëm paraqitja e rasteve ku ka pasur nevojë për vlerësim. Ne si institucion dhe Komisioni për Vlerësim e kemi obligim vetëm që të bëjmë vlerësim nëse objekti i punës ose i banimit, vazhdon të jetë i sigurt për strehim pas tërmetit ose fatkeqësisë – thonë nga Qendra e Menaxhimit të Krizave.
Dy vitet e kaluara në Maqedoni janë regjistruar më shumë se 1000 tërmete, ku më të fuqishëm ishin ata me epiqendër në kryeqytet dhe në Ohër me 5.3 dhe 5.5 ballë, të cilat fatmirësisht kaluan vetëm me dëme të materiale.