Dhjetëra njësi të Policisë së Kosovës dhe inspektorë të tregut po bëhen gati për një aksion të përbashkët të koduar “Kontrolli”.
Të ndarë në 10 njësi, pjesë e së cilave ishin departamenti i migracionit, ai i trafikimit me qenie njerëzore, inspektorë të Komunës, dhe ata të punës e të tregtisë, aksioni nisi në kryeqytet.
Në lokacionin e parë në lagjen “Arbëria”, Policia ka hasur në klientë duke pritur para një qendre masazhi.
Klientët ishin të ardhur nga Siria dhe komunikimi me ta ishte i vështirë, megjithëse e thoshin qartë se kishin ardhur nga kampi për të bërë masazh. E meqë klientët prisnin për shërbime, Policia e bindur se brenda është duke u punuar mori urdhrin nga Prokuroria për të thyer derën.
Këtu nuk gjetën asgjë, e sirianët u dërguan në stacionin policor pasi kishin thyer urdhrin e lëvizjes.
Në një lagje tjetër, një tjetër njësi ka hasur në një lokal masazhi të hapur. 5 punëtore, një klient dhe dy pronarë që ishin vëllezër kanë qenë në këtë lokal masazhi në momentin e intervenimit.
Ministria e Tregtisë vendosi ta mbyllë atë pasi kjo veprimtari nuk është e lejuar të operojë në fazën e dytë të lehtësimit të masave, që nisi në fillim të javës.
Megjithatë, në dyert e lokalit, pronarët e qendrës së masazhit ishin kujdesur që t’ua përkujtonin klientëve që të mbanin distancën prej 1 .5 metrave.
Policia ka polemizuar me pronarët. Në lagjen “Mati 1” derisa aksioni po vazhdonte, inspektorët e Tregut nuk ishin të një mendimi ndërmjet vete dhe nuk u pajtuan për mbylljen e lokalit.
Policia planifikonte ta mbyllte aksionin.
Pronarët e lokalit, shtetas nga Shqipëria, i kanë deklaruar KTV-së se ishin keqkuptuar për lejimin e veprimtarisë, pasi kanë menduar se qendrat e tyre lejohen të punojnë, duke i konsideruar të së njëjtës veprimtari me fizioterapeutët.
Por, me ardhjen e inspektorëve të punës ndërroi situata. Lokali u mbyll pas kontrollit që gjeti shumë parregullsi, duke përfshirë dy punëtore lokale pa kontrata pune.
Arsyetimi i pronares ishte se ato kishin filluar punën në ditën e aksionit. Bazuar në urdhëresat e prokurorive kompetente janë realizuar kontrolle në 14 lokacione në kryeqytet, prej tyre 6 kanë qenë të hapura, ku janë takuar 23 persona, ndaj të cilëve janë marrë masat e nevojshme ligjore.
Në Ferizaj objekt kontrolli kanë qenë 3 lokacione, por që kanë qenë të mbyllura, përderisa është kontrolluar edhe një restorant, por nuk është vërejtur ndonjë shkelje.
Ndërkaq 2 prej katër lokaleve të kontrolluara në Prizren kanë qenë të hapura, ku janë takuar 12 persona, ndaj të cilëve janë marrë masat e nevojshme ligjore