3 mijë shtëpi në Tetovë pa ujë për pije! Komuna: Javën e ardhshme përzgjidhet kompania

Lagjja  146 në Tetovë vazhdon të mbetet pa ujë të pijshëm. 3 mijë shtëpi të kësaj lagje që përfshirë edhe një pjesë të Reçicës së vogël  janë pa ujë të pijshëm. Banorët detyrohen të gjejnë zgjidhje alternative duke mbushur ujë në çezmat publike ose duke marrë ujë nga burime të ndryshme në malin Sharr që nuk shërbejnë për pije, por vetëm për çështje higjienike.

Banor i lagjes 146: “Bisedohet për ujin por ne ujë s’kemi  me vite, nuk ka ujë këtu, ujë mbushim te arabati ma poshtë shkojmë, mbushin ujë  gratë, këtu nuk ka ujë. 10-15 vite jemi këtu pa ujë, s’kemi çka bëjmë nuk vjen asnjë  të interesohet përpos për zgjedhje, vijnë i marrin votat dhe ikin”.

Banor i lagjes 146: “Ujë  nuk ka, nuk mund të lash asgjë me atë ujë. Atë pishinën lartë e kanë ndërtuar, por nuk ka ujë  ata duhet ta lëshojnë gomën poshtë  për ujin por akoma se kanë bërë,  a është për këtu a për tjetërkund nuk e dimë ne”.

Nga komuna e Tetovës thonë se projekti për sjelljen e ujit nga pishinat në Lisec deri në pishinat mbi lagjen 146, ka përfunduar dhe janë paraqitur pesë kompani. Javët në vijim  do të përzgjidhet kompania me ofertën më të lirë.

Komuna e Tetovës:

“Gjatë ditës së sotme ka përfunduar edhe afati për tenderim  ndërsa gjatë javës së ardhshme pritet edhe auksioni elektronik ku  gjithësej janë paraqitur 5 kompani. Projekti në fjalë kap shumën prej 11 milion e 500 mijë denarëve”.

Para dy muajsh  kan njoftuar për këtë  problem të këtyre banorëve. Krahas kësaj, lagjja 146 është duke u përballur edhe me mungesën e një shkolle ku nxënësit e kësaj lagje udhëtojnë për mbi 2 kilometra drejt  shkollës më të afërt “Naim Frashëri”.