Qeveria zvicerane vendosi sot të lejojë frekuentimin e vendeve të adhurimit të të gjitha besimeve nga 28 maji, duke lejuar kështu rifillimin e martesave, pagëzimeve dhe riteve të tjera fetare.
“Jeta normale ka rifilluar rrjedhën e saj dhe Këshilli Federal vendosi këtë mëngjes të autorizojë shërbimet fetare nga 28 maji, një javë më herët nga sa pritej”, njoftoi ministri zviceran i Shëndetësisë, Alain Berset.
Javët e fundit, disa shërbime fetare janë mbajtur pas dyerve të mbyllura dhe janë transmetuar në internet ose në televizion.
Zvicra, e cila nuk ka vendosur një kontroll të rreptë si vendet e tjera europiane, filloi më 27 prill lehtësimin e masave të jashtëzakonshme të marra kundër COVID-19.