Një 56 vjeçar nga Shkupi ka shkuar në polici për të njoftuar se ka qenë i grabitur nga e dashura e tij që e kishte njohur përmes internetit dhe për të cilën po mendonte se do ta ketë për jetë.
Bllagojçe Petrevski ka thënë për TV Sitel se para 8 muajve kishte njohur të dashurën e tij përmes internetit dhe se nuk kishte as edhe një pikë dyshimi se ajo do ta grabiste pas aq muajve që kishin qëndruar bashkë.
Ajo ka ikur një natë duke marrë me vete 3 mijë eurot e Bllagojçes, të cilat i kishte grumbulluar për shlyerjen e një borxhi familjar.
Ai ka rrëfyer se ajo ka ikur duke mos lënë as edhe një gjurmë pasi që tashmë as policia nuk ka ndonjë detaj. Bëhet fjalë për një 49 vjeçare nga Prilepi, e cila nuk është hera e pare që kishte bërë veprime të tilla, njoftoi policia. Ajo në të njejtën mënyrë kishte mashtruar edhe tre persona të tjerë, duke filluar nga viti 2014 dhe se ndaj saj tashmë ka kallëzim të ngritur. (INA)