18 vjet nuk dimë sa jemi! Vendi sërish në zgjedhje pa regjistrim të popullsisë


Edhe pas 18 viteve assesi të numërohemi. Maqedonia do të hyjë edhe në një cikël zgjedhor pa e ditur numrin e saktë të banorëve të vendit. Plani fillestar ishte që regjistrimi i popullsisë të mbahet në prill, por edhe ajo mundësi u humb pasi që liderët partiak vendosën që në të njëjtin muaj të mbahen zgjedhjet. Termini i ardhshëm për organizimin e regjistrimit të popullsisë është prill 2021.

Drejtori i Entit Shtetëror për Statistika, Apostoll Simonovski, vlerëson se është mirë që regjistrimi u prolongua për shkak se i njëjti do të duhej të prolongohet për shkak të pandemisë me koronavirusin.

“Amvisëritë do të kenë problem që të pranojnë anketuesit, nuk do të garantonim sigurim shëndetësor për anketuesit. Është mirë që e kemi shtyrë terminin, për shkak se do të shpenzonim shuma të mëdha parash dhe mjete për organizimin e regjistrimit të popullsisë”, tha Apostoll Simonovski, drejtor i Entit Shtetëror për Statistikë.

Ajo që paraqet problem për momentin, sipas Simonovskit, është fakti që nuk kemi Ligj për regjistrimin e popullsisë.

“Nuk arritëm të reflektojmë që të sillet Ligji për regjistrimin e popullsisë. Parlamenti më nuk punon, e presim Parlamentin e ri që të sillet ligji. Në këtë mënyrë ligji mbetet i obligueshëm dhe është obligim për çdokënd. Kur realizojmë anketë statistikore, ajo është me vetëdëshirë. Në këtë rast regjistrimi është i obligueshëm për çdo individ dhe andaj sillet ligj i veçantë”, tha Apostoll Simonovski, drejtor i Entit Shtetëror për Statistikë.

Edhe përkundër pohimeve të Simonovskit se regjistrimi i popullsisë nuk ka pikë të përbashkët me zgjedhjet, profesori universitar, Ilija Aceski thotë se njëra prej arsyeve pse vazhdimisht po prolongohet regjistrimi i popullsisë është pikërisht mundësia që të manipulohet me listat zgjedhore në kohën e zgjedhjeve.

“Një pjesë e subjekteve politike nuk duan për shkak se, supozoj, ka manipulime në listat zgjedhore, të shpërngulurit në vendet e huaja, ata që nuk janë çregjistruar, shtetësi e dyfishtë, që lë hapësirë për manipulim”, tha Ilija Aceski, profesor universitar.

Aceski thotë se arsyeja e dytë pse po shmanget regjistrimi i popullsisë është situata politike në të cilën ka qenë vendi për 20 vitet e fundit, duke shtuar se çdo regjistrim nënkupton një zhvendosje në situatën politike që mund të mos i përshtatet palës maqedonase ose shqiptare.

Hera e fundit që në vend kishte regjistrim të popullsisë ishte në vitin 2002, ndërsa në vitin 2011 Qeveria e VMRO-DPMNE-së dhe BDI-së me Ligj në Parlament e ndërprenë regjistrimin e filluar.