SHBA-ja do të dërgojë ventilatorë në Rusi


Shtetet e Bashkuara do të dhurojnë 200 ventilatorë mjekësorë në Rusi, pasi ky vend po përballet me numër të lartë të të infektuarve nga koronavirusi i ri, që e shkakton sëmundjen COVID-19, raportoi Zëri i Amerikës.

Javën e ardhshme do të realizohet dërgesa e parë prej 50 ventilatorëve.

Më 8 maj presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump kishte ofruar ndihmë për Rusinë, gjatë një bisede telefonike me homologun e tij rus, Vladimir Putin.

Trump më vonë tha se Putini e kishte pranuar ofertën.

Sidoqoftë, një njoftimin për bisedën mes presidentëve, Kremlini nuk e kishte përmendur ndihmën.

Rusia nuk e ka konfirmuar për Zërin e Amerikës se do të pranojë ndihmë nga SHBA-ja.

Pas Shteteve të Bashkuara, Rusia ka numrin e dytë më të lartë të rasteve të raportuara me COVID-19 në botë.

Në muajin prill Rusia dërgoi ventilatorë në Shtetet e Bashkuara pasi qytetet si Nju Jorku, u përballën me mungesë të këtyre pajisjeve mjekësore.

Uashingtoni tha se kishte paguar për pajisjet.