Rrëfimi për familjen kosovare që mbeti për gjashtë javë e bllokuar në Slloveni


Bashkëshortja e Latifit, së bashku me djalin, shtetas të Sllovenisë, më 12 mars kishin udhëtuar për një vizitë të shkurtër tek familja e saj, në Slloveni. Pastaj ndodhi bllokimi…

Projekti i Zonës Shengen, ku sot banorët dhe mallrat e shumicës së shteteve anëtare të Bashkimit Evropian lëvizin pa barriera kufitare, ishte nënshkruar në vitin 1985, për të hyrë plotësisht në fuqi, 10 vite më vonë.

Por 25 vite më pas, ose 35 vite nga nënshkrimi, si pasojë e Pandemisë globale të COVID 19, një arritje e tillë, thuajse u pezullua përkohësisht. E gjithë kjo si pasojë e masave të marra nga qeveritë e vendeve nënshkruese të kësaj marrëveshje, për tu mbrojtur nga COVID 19.

Po bëhen mbi 2 muaj, prej se qarkullimi i personave dhe mallrave mes shteteve anëtare të Zonës Shengen është vështirësuar, duke iu nënshtruar kështu kontrolleve nga autoritetet kufitare të vendeve përkatëse.

Masa të tilla ndikuan shumë edhe në pamundësinë për të qenë bashkë shumë familje.

I tillë është edhe rasti i familjes së Latif Gashit, me banim në Zvicër.

Bashkëshortja e tij së bashku me djalin, shtetas të Sllovenisë, më 12 mars kishin udhëtuar për një vizitë të shkurtër tek familja e saj, në Slloveni. Pas shpërthimit të pandemisë, më 17 mars, mbyllen kufijtë e Zonës Shengen, duke ia pamundësuar Latifit bashkimin me familjen e tij.

I gjendur në një situatë të tillë, ai kontakton autoritete të shumta në Zvicër e po ashtu edhe përfaqësitë diplomatike, që të bënin të mundur kthimin e gruas së tij në Zvicër, por rezultati ishte zero.

Pas kontakteve të rregullta me bashkëshorten, Latifi, duke ditur rrezikun që mund të karantinohej nëse kapej duke kaluar kufijtë qe çonin në Slloveni, me 1 maj niset për të sjellë në Zvicër familjen e tij.

Ndalesa e tij e parë ishte në kufirin mes Zvicrës dhe Austrisë, në St.Margrethen, ku pas mbushjes së një formulari, lejohet të kalojë tutje. Policët austriakë kërkojnë të njëjtën gjë nga ai, pasi që kalimi i tij në këtë shtet ishte vetëm transit. Edhe autoritetet gjermane në një postbllok të ngritur enkas gjatë kësaj gjendje, pasi u tregon arsyet, si dhe i paraqet dokumentet e lëshuara nga autoritetet zvicerane dhe austriake, e lejojnë të kalojë.

Kufiri për Slloveni hapej 2 herë në ditë nga 2 orë, e për fatin e tij, Latifi arrin gjatë kësaj kohe. Pasi ia kontrollojnë dokumentet, e lejojnë të kryejë „misionin“ e tij, por me kusht që gjithçka të bëhej brenda 24 orësh. Në të kundërtën, aplikohej karantinimi për personat që vijnë nga jashtë Sllovenisë.

Pas pothuaj 6 javësh, Latifi ribashkohet me familjen e tij, e vetëm pas pak orë qëndrimi në Slloveni, merr rrugën e kthimit për në Zvicër. Gjatë kthimit e ndjek e njëjta procedurë, por duke pasur lejeqëndrimin e Zvicrës dhe duke ofruar dëshmitë e tjera, Familja Gashi arrin të kthehet në Zvicër.

Raste të tilla kemi pasur shumë gjatë këtyre dy muajve, e shpesh riatdhesimi i personave për në Kosovë apo edhe kthimi i tyre në Zvicër është bërë në mënyrë të organizuar në koordinim me autoritetet vendore.

Pas vendimit te Komisionit Evropian, më 17 Mars qe bërë mbyllja graduale e kufijve tokësorë, ajrorë dhe ujorë mes shteteve të Zonës Shengen, përderisa ulja e numrit të të infektuarve me virusin COVID 19, është një shpresë që hapja e sërishme e kufijve do të bëhet së shpejti./albinfo.ch