9 vite pa Komandant Zogun: “Ëndërr e kishte të luftojë edhe një herë për bashkimin e trojeve”


Dëshmorët e UÇK-së zakonisht nderohen dhe përkujtohen në mënyrë më të organizuar vetëm kur ka zgjedhje. Kur kalojnë zgjedhjet, lihen në harresë nga politika. Mirëpo të vetmit që nuk i harrojnë, janë familjet e tyre. Ata çdo ditë, çdo muaj e çdo vit përkujtojnë të afërmit e rënë në altarin e lirisë.

Janë bë 9 vite që kur u nda nga jeta njëri ndër luftëtarët më të njohur nga rajoni i Tetovës, i cili me nofkën Komandant Zogu luftoi sypatrembur në Kosovë dhe Maqedoni. Dhimbja është e madhe dhe nuk shuhet, por edhe më e madhe është krenaria për babain dhe bashkëshortin dëshmor, i cili i doli zot kombit dhe atdheut në momentet më të vështira.

Rrahim Samiun e gjeje në luftë aty ku ishte zjarri më i madh thonë bashkëluftëtarët e tij. Ishte i guximshëm dhe sypatrembur. Edhe pse plagët që i mori ishin të rënda, nuk u dorëzua por vazhdoi të luftojë. Nuk u dorëzua as pas lufte. Ashtu siç kishte dëshirë të luftonte kundër armikut gjatë luftës, ashtu kishte dëshirë që sa më gjatë që ishte e mundur të luftojë për familjen dhe të shihte fëmijët si po rriten dhe të kujdesej për ta. Deri në vitin 2011, kur lamtumira nga kjo jetë ishte e pashmangshme, sepse plagët e marrë në front rëndonin gjithnjë e më tepër shëndetin e tij. U shua ky simbol i lirisë ashtu siç edhe jetoi: modest dhe i heshtur, duke mos folur asnjëherë për vetveten, por duke lënë vend që veprat të flasin për të. U nda nga jeta me amanetin e fundit për fëmijët: të luftojnë dhe të kontribuojnë për atdheun.

Rrahim Samiu-Zogu ndërroi më 17 Maj 2011. Ai u lind më 22 Tetor të vitit 1971 në Shemshovë të Tetovës. Arsimin e ulët dhe të mesëm e kreu në Tetovë, ndërsa studimet universitare në Universitetin e Prishtinës ku mori titullin jurist. Në vitet e nëntëdhjeta, për shkak të aktivitetit të tij të vazhdueshëm në shërbim të çështjes kombëtare, u burgos nga regjimi pushtues serb në Prishtinë. Megjithëkëtë, ai edhe pas lirimit nga burgu, vazhdoi rrugën e nisur duke u aktivizuar më pas në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës në kuadër të së cilës u shqua si profesionist i pashembullt në fushën e artilerisë.

Rrahimi luftoi përkrah bashkëluftëtarëve të tij në Koshare duke e përmbushur njërën nga ëndrrat e tij më të mëdha – thyerjen e kufirit, bashkë me Agim Ramadanin, Salih Çekun e Mujdin Aliun, luftë në të cilën tre të fundit ranë dëshmorë kurse Rrahimi u plagos rëndë.

Mbas shërimit në spitalin ushtarak në Tiranë, Rrahimi vazhdoi të merret me studime dhe njëkohësisht me organizimin dhe konsolidimin e radhëve të Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare. Gjatë luftimeve në Tetovë, plagoset rëndë dhe për një kohë mjekohet në Prishtinë për t’u kthyer sërish tek shokët në zonat e luftimeve, ngaqë mungesa e tij përbënte boshllëk në rrafshin profesional e operativ të luftës. Mbas përfundimit të luftës, ai vazhdoi ta japë kontributin e tij në shërbim të çështjes kombëtare, derisa sëmundja nuk e privoi nga aktiviteti.

Rrahim Samiu ishte edhe anëtar i Shoqatës së Invalidëve të Luftës të UÇK-së në degën e Prishtinës.