Hapet edhe qendra më e madhe tregtare në vend. Radhë të gjatë dhe eufori nga vizitorët që në orën 10. Ndonëse në çdo derë policia iu jepte maska, qytetarët nuk respektonin rekomandimet. Pritje gjysmë ore vetëm për të hyrë pa e ditur se do të blejnë.
“Në ditën e parë të hapjes së qendrës tregtare radhë të gjata u bënë në pritje të hyrjeve të dyqaneve, por radhë të shumta ka edhe në pritje të kasave për të paguar një mall, të cilin nuk e kanë provuar.”
Distanca nuk ruhet as nëpër shkallët elektrike. Qytetarë thonë se duhet të mësohen me masat e reja.
“Nuk është OK, por kur hapen lokalet tjera, si bastore e kazino këto shtëpitë e mallrave na duhen”.
“Varet nëse e di numrin të veshjeve mund të blesh më lehtë, por të paguash edhe me rrezik pse jo”.
“Nuk janë duke i respektuar edhe aq por duhet sepse hallin e njëjtë e kemi gjithë bota jo vetëm te ne”.
“Nuk i përmbahen të gjithë rregullave, i sheh plot pa maska e pa doreza, nuk i përfillin rekomandimet”.
Nga policia thonë se në shtëpitë e mallrave do të nisin me sanksione në mbrojtje të shëndetit publik.
“Sot iu tregojmë vizitorëve që të bartin maska mbrojtëse dhe nuk do të lejohen të hyjnë nga ne e as nga sigurimi. Përveç masave preventive ne do të zbatojmë edhe masa represive” – tha Risto Jovanovski, inspektor i Repartit të Parandalimit në SPB Shkup.
Vetëm në kryeqytet prej kur se ka filluar kriza e pandemisë, policia ka evidentuar mbi 4 mijë qytetarë për mos respektimin e masave të rekomanduara nga Qeveria, por të gjithë kanë marrë vetëm vërejtje për mos mbajtje të maskave, dorezave dhe mos mbajtje të distancës./Alsat