Kadare mesazh klasës politike: Nuk mund të ketë zgjidhje Kosovë-Serbi pa Amerikën


Shkrimtari i madh shqiptar me renome botërore, Ismail Kadare, i ka dërguar një mesazh të qartë Qeverisë së Kosovë.

Pas komenteve të shumta të Albin Kurti në lidhje me emisarin special të Donald Trumpit, ambsadorin Richard Grenell duke ia kontestuar punën dhe duke e akuzuar se po i mbanë anë Serbisë, Kurti po ashtu ka kërkuar përfshirjen sa më të madhe të BE’së në këtë proces dhe i ka dhënë rëndësi të madhe përfaqësuesit për Politikë të Jashtme, Joseph Borrell dhe emisarit të tij, Mirsolav Lajcak.

Por, në këtë debat është përfshirë edhe shkrimtari Ismail Kadare, i cili ka thënë se nuk mund të ketë zgjidhje ndërmjet Kosovës dhe Serbisë pa rolin dhe përfshirjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

“Padyshim që Kosova është çështje e ditës sot në Evropë. Është diçka që lidhet me interesat të mëdha të botës së sotme. Këto interesa s’mund të mendohen pa SHBA-të. Amerika ka hyrë në Ballkan bashkë me BE-në dhe të dyja s’mund të zgjidhin asgjë veç e veç dhe ky ka qenë fati i Kosovës dhe shqiptarëve”, tha Kadare në një intervistë për Televizionin Publik.

Kadare tha se dialogu Kosovë-Serbi duhet të përfundoj dhe se shqiptarët duhet ta shfrytëzojnë rolin aktiv të SHBA-ve dhe Bashkimit Evropian.

“Përfshirja amerikano evropiane nuk është lodër diplomatike. Ka qenë fitore e madhe e popujve të vegjël të Evropës që shtete e mëdha u përfshinë seriozisht jo sipas traditave të vjetruara por u përfshinë sipas logjikës të zhvillimit modern të sotëm i cili ka sjell rezultatet të mira”, tha shkrimtari shqiptar me famë botërore.