OBSH: Virusi i COVID-19 mund të mos largohet kurrë


Bota ka ende shumë rrugë para se të ulë nivelin e alarmit për koronavirusin e ri, tha sot zyrtari i lartë i OKB-së për Shëndetin, Mike Ryan, duke paralajmëruar se zhvillimi i një vaksine nuk garanton fitoren ndaj sëmundjes së COVID-19 .

Ai tha se koronavirusi i ri mund të vazhdojë të qarkullojë në një farë mase, në vend që të eliminohet tërësisht.

“Ky virus mund të mos largohet kurrë,” tha Ryan.

“Organizata Botërore e Shëndetit shpalli një urgjencë ndërkombëtare shëndetësore në fund të janarit dhe heqja e atij alarmi nuk është ende në horizont”, shtoi shefi i Operacioneve të Urgjencës të OKB-së, gjatë një konferencë virtuale për shtyp.

Sipas tij, pasi të zhvillohet një vaksinë, ajo duhet të vihet në dispozicion të të gjithë botës me çmime të përballueshme dhe njerëzit duhet të jenë të gatshëm ta marrin atë.

Megjithatë, Ryan theksoi se viruset dhe sëmundjet mund të mbahen nën kontroll edhe pa vaksina, siç është HIV.