Publikohen përgjime të reja, tani për Zoran Zaevin


Pas publikimit të përgjimeve të djeshme për liderin e VMRO DPMNE, Hristijan Mickovski, sot janë publikuar katër përgjime të reja në te cilat siç thuhet një nga bashkëbiseduesit është lideri i LSDM, Zoran Zaev.

Në incizimin e parë dëgjohet se si bashkëbiseduesi jep vlerësime se LSDM do të humb zgjedhjet. Në një tjetër incizim dëgjohen edhe kërcënime për biznesmenin, Orce Kamçev. Lidhur me publikimin e përgjimeve ka reaguar LSDM-ja.

“Revolta në VMRO-DPMNE është aq e madhe sa që përmes regjistrimeve të paligjshme ata po konfrontohen brenda tyre, dhe pavetëdije po promovojnë politikat e Zoran Zaev dhe LSDM-së. Në audio bisedat, Zoran Zaev konfirmon kategorikisht se nuk ka biseda që i janë dhënë dikujt apo kujtdo tjetër përveç PSP-së. Bisedat konfirmojnë se shoqëria civile është mbështetësi më i fortë i drejtësisë, luftës kundër regjimit dhe konceptit te një shoqërie për të gjithë, në krahasim me politikat e ndarjeve, nacionalizmit dhe krimit, dhe kjo është një nga dhimbjet më të mëdha të regjimit DPMNE-së”, thuhet në reagimin e LSDM-së.