Turqi, pas mbylljes nga Koronavirusi të hënën do të rihapen qendrat tregtare

Përderisa Turqia lehtëson masat kundër koronavirusit të ri (COVID-19), në mes të përmirësimit të numrave, është vendosur që të hënën qendrat tregtare të rihapin dyert e tyre pas një mbyllje pothuajse dy-mujore.

Presidenti turk, Recep Tayyip Erdoğan, këtë javë njoftoi se vendi gradualisht do të normalizohet gjatë këtij muaji deri në korrik.

Javën tjetër, fabrika të shumta në vend do të rifillojnë prodhimin.

Qendrat tregtare, që urdhëruan të mbyllen më 21 mars për të parandaluar përhapjen e koronavirusit, do të rihapen të hënën, dy javë para festës së Fitër Bajramit, e cila normalisht nxit pazarin.

Para rihapjes, Këshilli i Qendrave Tregtare tha se personeli dhe klientët duhet të mbajnë maska dhe të vazhdojnë të respektojnë rregullat e distancës sociale në të gjitha qendrat tregtare.

Grupi në një njoftim për media tha se administratorët e qendrës tregtare po ashtu duhet të përdorin termometra, të reduktojnë kapacitetet e ashensorit ose të kufizojnë përdorimin, të sigurojnë dezinfektues dhe të marrin masa për të parandaluar turmat.

Dyqaneve po ashtu u është kërkuar të inkurajojnë metodat e pagesës pa kontakt.

Turqia ka vazhduar të raportojë ulje në numrin e përditshëm të vdekjeve dhe numrin e pacientëve në njësitë e kujdesit intensiv përderisa numri i pacientëve të shëruar ka arritur në 83 mijë.

Pasi për herë të parë u shfaq dhjetorin e kaluar në Wuhan të Kinës, koronavirusi është përhapur në mbarë botën, ndërsa Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) shpërthimin e ka shpallur një pandemi.

Sipas të dhënave nga Universiteti John Hopkins me qendër në SHBA, në mbarë botën janë konfirmuar mbi 3.8 milionë raste COVID-19, prej të cilëve pothuajse 270 mijë kanë vdekur dhe rreth 1.3 milionë janë shëruar.