Rreth 50 plumba janë shkrepur në piknikun në kohë të pandemisë, ku kishin marrë pjesë zyrtarë shtetërorë e familjarë të politikanëve.
Kjo ngjarje ishte zhvilluar në Shalë të Bajgorës.
Në këtë piknik kishin marrë pjesë zyrtarë policorë, ata të Ministrisë së Drejtësisë, familjarë të politikanëve e persona të dënuar.
Meqë ngjarja ka ndodhur në zonën e Mitrovicës, hetimet janë duke u kryer nga policia e këtij qyteti.
Hetimet bëhet e ditur se janë duke u zhvilluar edhe ndaj personave jozyrtarë. Në mesin e tyre është Nazmi Thaçi vëllai i presidentit Hashim Thaçi dhe vëllai i ish-deputetit të PDK-së, Rrustem Mustafa.
Drejtoresha e Policisë Rajonale në Mitrovicë, Afërdita Mikullovci, ka konfirmuar për KOHËN se armët e familjarëve të politikanëve janë konfiskuar.
Mikullovci gjithashtu ka treguar se tashmë janë intervistuar palët e gjithashtu është bërë shikimi i vendngjarjes.
“Hetuesit kanë marrë disa veprime hetimore të cilat janë të zakonshme si në çdo rast tjetër: vendshikimi, konfiskimi i dëshmive, intervistimi i palëve… Nesër e pasnesër finalizohet intervistimi. Armët janë konfiskuar, posaçërisht ato që kanë qenë të ekspozuara, dhe me urdhër të prokurorit dhe me vendim të gjykatës ato shkojnë për ekspertizë”, ka thënë Mikullovci.
Policia e Kosovës është duke e hetuar vetëm pjesën e qytetarëve e Inspektorati policor atë të zyrtarëve policorë.
Muajin e kaluar, shefi i Njësive Speciale, Amir Gërguri, ka qenë njëri nga zyrtarët që nuk i ka zbatuar masat e emergjencës.
Në shoqërinë e një zyrtari policor dhe drejtorit të Burgut të Sigurisë së Lartë, Burim Buleshkaj, ata janë parë teksa bënin qejf me birra e me meze.
Siç i kanë thënë burimet KOHËS, por edhe nga fotografitë e bëra publike, me këta zyrtarë shtetërorë kanë qenë edhe vëllezërit e politikanëve, përkatësisht Hashim Thaçit e Rustem Mustafës.
Në “piknik” kanë qenë edhe të tjerë persona, përfshirë edhe Blerim Poterën, i njohur për drejtësinë dhe i dënuar më parë.