Çështja rreth mbajtjes së zgjedhjeve ende është temë aktuale politike në opinion. Por fjalën e fundit në lidhje me atë se kur do të mbahen, e kanë anëtarët e Komisionit për sëmundje infektive.
Përderisa partitë politike ende po diskutojnë rreth datës së mundshme për mbajtjen e zgjedhjeve, infektologu, Fadil Cana, vlerëson se ende është herët për mbajtjen e zgjedhjeve.
”Mendoj se ende është herët për të menduar për zgjedhje. Megjithatë qëndrim duhet të jap Komisioni për sëmundje infektive. Fjalën e fundit duhet ta thonë ata në lidhje me mbajtjen e zgjedhjeve. Sipas të dhënave që deri më tani i kemi në dispozicion, numri i të infektuarve duhet të bie në korrik ose gusht”, tha Fadil Cana, infektolog.
Dy partitë më të mëdha politike në vend edhe më tej me qëndrime të kundërta në lidhje me këtë çështje.
Lideri i LSDM-së,Zoran Zaev, vlerësoi se termini më adekuat për mbajtën e zgjedhjeve është mesi i qershorit, për shkak se siç tha, pas asaj periudhe vijojnë pushimet vjetore, ndërsa vjeshta është e rrezikshme për shkak të mundësisë për rritjen e intensitetit të pandemisë.
Nënkryetari i Lëvizjes Besa, Kastriot Rexhepi, për TV21 tha se pajtohet se prioritet kryesor është shëndeti i qytetarëve dhe tejkalimi i kësaj situate, por theksoi se është shumë e rëndësishme që shteti të ketë Qeveri politik.
“Sfidat e ardhshme shëndetësore po ashtu edhe ekonomike do të jenë më të mëdha dhe për tu përballur me to do të duhet të sillen vendime të guximshme me përgjegjësi të lartë politike. Shpresojmë se në takimin e liderëve do të arrihet konsensus i gjerë edhe për këtë çështje, dhe në qershor të ketë zgjedhje”, tha Kastriot Rexhepi, nënkryetar i Lëvizjes Besa.
VMRO-DPMNE ende me qëndrim të njëjtë se ata tani nuk mendojnë për zgjedhje dhe se prioritet është shëndeti i qytetarëve.
Nga BDI janë të gatshëm për zgjedhje atëherë kur do të përfundojë lufta me virusin.
“Ne porositëm anketë si parti politike, që të shohim se cili është vullneti i qytetarëve, për shkak se kemi dilema a të pranojmë zgjedhje të shpejta. Nëse nesër shpallet fitore në luftën me Kovid-19, qytetarët do të ndjehen të lirë që të jenë pjesë e zgjedhjeve. Atëherë le të ketë zgjedhje në maj, qershor, korrik. Ne jemi të gatshëm, për shkak se ishim të gatshëm edhe për maj edhe për prill”, tha Artan Grubi, BDI.
Sekretari i përgjithshëm i LSDM-së, Lupço Nikollovski, tashmë doli me qëndrim se në zgjedhjet e ardhshme parlamentare e patjetërsueshme do të jetë mbajtja e maskave dhe mbajtja e distancës prej dy metrave.
Kryetari i KSHZ-së, Oliver Derkovski, për TV21 ka shpjeguar se nuk ekziston asnjëfarë mundësie që zgjedhjet të mbahen në qershor. Ai theksoi se pa marrë parasysh dëshirat e partive politike, sipas Kodit zgjedhor për organizim të zgjedhjeve duhet të ketë hapësirë prej më së paku 50 ditëve, pasi që ata të shpallen.