Me 30 raste pozitive deri tani, Bogovina mbetet ne numrin më të madh të të infektuarve me koronavirus në zonat rurale të Pollogut. Kreu i Komunës Albon Xhemaili tha se masat e shtabit të krizës në këtë komunë janë marrë me dozë të shtuar, nëpër ato vende ku ka pasur të infektuar. Kërkoi zbutjen e masave dhe hapjen e disa bizneseve.
Do me thënë, atje ku kemi më tepër të prekur, vazhdimisht bëhet dezinfektimi i terrenit dhe jemi në terren vazhdimisht dhe çka është kompetencë e komunës, ne i kryejmë gjitha obligimet. Masat duhet filluar të zbuten dhe disa biznese të veprojnë sepse jemi vërtetë në një kollaps të madh ekonomik. Shpresoj që edhe ora policore të zgjatet dhe mos të jetë deri në ora 19 – deklaroi Albon Xhemaili, Kryetar i komunës së Bogovinës.
“Por edhe përkundër relaksimit të situatës dhe rënies së numrit të të infektuarve, organet shëndetësore porosisin që kujdesi të jetë maksimal, sidomos në mbajtje distance dhe maskave, sepse ende ekzistojnë burime infeksioni në komunë të Bogovinës”.
Situata në komunën e Bogovinës tani për tani është stabilizuar. Ka pacientë të shëruar në komunën e Bogivinës, por rekomandimi i vetëm për banorët e Bogovinës është që të respektojnë distancën sociale dhe masat për vetizolim, që të prevenohet përhapja e mëtejmë e sëmundjes. Pra që të ndalohet virusi duhet distanca sociale dhe vetë izolimi – tha Zorica Zafiroska, IPSH.
Por, sa i respektojnë banorët këto rekomandime?
Pothuajse shumë pak. Nëpër parqet e kësaj komune, regjistruam persona që nuk respektonin distancën e as nuk përdorin maska.
“Absolutisht jam i mendimit se nuk ekziston fare. Po maskën ja e mbajmë se shteti kërkon”.
“Po nuk kemi as virus asgjë nuk kemi. Të kishim pas viruse qëmoti do ishim në karantinë. E respektojmë atë që duhet që e kërkon ligji, e respektojmë, por duhet pak edhe të na lirojnë sepse tepër na kanë shtrënguar”.
“Ne gjithë kemi frikë po çfarë të bëjmë ashtu puna është, po ja distancën dy metra e kemi. Unë tash erdha prej fushe se kisha punë po ja tani do shkoj ta marr maskën”.
Tek shtimi i numrit të të prekurve me koronavirus në Bogovinë erdhi si pasojë e paraqitjes së virusit në një ordinancë private, ndërsa nga anketimet epidemiologjike rezultoi i infektuar mjeku i saj. Në izolim shtëpiak përfunduan 156 persona, karantina e të cilëve ka përfunduar ditë më parë./Bashkim Sulejmani