Rritet numri i të shëruarve, gjendja nën kontroll vetëm me përgjegjësi


Ne e fituam betejën e parë me koronavirusin. Vetëm nëse të gjithë jemi të ndërgjegjshëm dhe të përgjegjshëm do të jemi në gjendje ta mbajmë gjendjen nën kontroll, njoftoi dje me optimizëm, ministri i Shëndetësisë Venko Filipçe, duke theksuar se rikthimi në jetën normale do të bëhet gradualisht, me kujdes dhe respektimin e detyrueshëm të masave të mbrojtjes.

Optimizmi i ministrit bazohet në faktin se në ditët e kaluara është rritur numri i të shëruarve nga rastet e reja të konfirmuara me Kovid-19 (dje 44 kundër 13), si dhe për shkak të gjendjes së mirë të pacientit i cili për 12 ditë ishte në respiratorë në SPQ “8 Shtatori”.

Ky është pacienti i parë në vend, i cili për shkak të gjendjes së përkeqësuar shëndetësore për 12 ditë ka qenë në respirator, ndërsa tani më nuk ka nevojë për asistencë të tillë. Gjendjen e mirë shëndetësore dje e konfirmoi edhe drejtori i spitalit, Hristijan Kostov.

“Pacienti merr frymë vetë, flet, është i vetëdijshëm. Me siguri kështu do të vazhdojë. Nëse ai është në gjendje të mirë, ai do të transferohet nga Njësia e kujdesit Intensiv në 24 orët e tjera. Pacienti merr terapi me ozon për disa ditë, ka protokoll mjekimi dhe i jepen antibiotikë dhe ilaçe anti-inflamatore”, tha dr. Kostov, ku edhe tre pacientë të tjerë gjenden në aparate respiratorë.