Rama, Cipras dhe Zaev takohen në Prespë? Çfarë paralajmërojnë mediat e rajonit


Në një kohë që Greqia pretendon se ka ende çështje të hapura me fqinjët e saj Shqipërinë dhe Maqedoninë, pritet të mbahet një takim mes tre kryeministrave, Edi Rama, Aleksis Cipras dhe Zoran Zaev.

Lajmi bëhet me dije nga agjencia e lajmeve për Ballkanin “IBNA”, e cila thotë se takimi mes tre udhëheqësve pritet të zhvillohet së shpejti në Prespë.

Takimi do të ketë për qëllim zgjidhjen përfundimtare të disa prej çështjeve që qëndrojnë të hapura midis këtyre shteteve fqinje, ndër të cilat është edhe çështja emrit të Maqedonisë.

Agjencia “IBNA” thekson se pjesëmarrja e kryeministrit Rama në këtë takim shihet si një garanci për marrëveshjen e emrit dhe për të mos pasur më vonë një krizë nacionaliteti nga shqiptarët në Maqedoni për çështjen e emrit.

Gjithashtu tre liderët do të fokusohen edhe në bashkëpunimin dhe sigurinë e rajonit, ku mes të tjerave përfshihet siguria energjetike apo mbështetja për ‘Rrugën e Mëndafshit’, një projekt që financohet nga Kina.