“Reket”, Janeva paralajmëron padi ndaj Boki 13

Katica Janeva kërkon ndjekje penale ndaj Bojan Jovanovskit i njohur si Boki 13 pasi e ka incizuar pa autorizim. Janeva kallëzimin kundër Boki 13 së bashku me të cilin janë të akuzuar në rastin “Reket”, e ka përgatitur para dy muajve. Kjo ishte pjesë e dëshmive plotësuese që ish kryetarja e PSP-së i dorëzoi në gjykimin e sotëm.

“Çfarë doni të dëshmoni me këtë provë?

-Asgjë. Është e qartë që është incizim pa autorizim. Është vepër penale dhe menduam që duhet të veprojmë në këtë mënyrë”.

Avokatët e Janevës u ankuan pasi u refuzuan 16 incizimet audio me zërin e Orce Kamçevit që u publikuan në “Youtube”, menjëherë pas fillimit të procesit gjyqësor “Reket”. Prokuroria tashmë pesë muaj është duke hetuar se kush i ka publikuar incizimet në fjalë. Në seancën e sotme u refuzuan edhe provat që në mënyrë plotësuese i dorëzuan avokatët e Boki 13. Arsyetimi i gjykatëses Vaska Nikollovska Masevskës ishte se kjo ka mundur të bëhet para fillimit të gjykimit sepse provat e reja nuk dalin nga provat tashmë të prezantuara para gjykatës. Këtu reagoi personalisht Boki 13 i cili kërkoi të sqarojë pse janë dorëzuar tani, por pas disa intervenimeve të gjykatëses, u paralajmërua se do të largohet nga salla. Në listën e refuzuar të provave janë 10 dëshmitarë, edhe atë: ish drejtori i Drejtorisë për siguri dhe kundërzbulim, Goran Nikollovski, ish kryeministri Zoran Zaev, kryeministri aktual, Oliver Spasovski, ministrat Radmilla Sheqerinska dhe Venko Filipçe, por edhe ish redaktorët e 1TV, Aco Kabranov, Gordana Duvnjak, Jadranka Kostova, Sasho Ordanovski dhe Aneta Koçishki.

“Ne i ofruam në fillim të procedurës sepse konsideronim që kjo do të dalë nga ekspertiza e telefonit celular. Kërkuam që t’i bëhet ekspertizë telefonit nga një këshilltar i jonë teknik. Dhe kur nuk e bëri këtë prokurori, kërkuam që gjykata ta urdhërojë. Gjykata këtë e hodhi poshtë. E keni bisedën e teknikut të IT-së i cili thotë se unë nuk jam ekspert, nuk e kam kryer ekspertizën e telefonit”, deklaroi Sashko Dukoski- avokat i Boki 13.

Gjykimi për rastin “Reket” do të vazhdojë pas dy ditëve. Fjalën do ta kenë dy të akuzuarit, Bojan Jovanovski dhe Katica Janeva. Ata do të mund ta dorëzojnë mbrojtjen e tyre për veprat penale- marrje shpërblimi për ndikim kundërligjor dhe pastrim parash respektivisht për abuzim me pozitën zyrtare dhe autorizimin. Me këtë, rasti shkon drejt përfundimit ku vijojnë fjalët përmbyllëse dhe aktvendimi.

Boki 13 dhe Katica Janeva akuzohen se nga biznesmeni Orce Kamçev kanë zhvatur 1,5 milionë euro për t’ia lehtësuar pozicionin në rastin “Perandoria”, që atëherë e udhëhiqte Prokuroria Speciale. Në atë lëndë, Kamçev dhe 12 persona të tjerë akuzohen për larje parash prej 11 milionë euro.