Mungesa e ilaçeve dhe ushqimeve e ka detyruar këtë 72 vjeçare të udhëtojë si në mesjetë me mushkë nga fshati Qafë Dardhë, për në Librazhd. Ajo u lodh shumë gjatë rrugës. Pasi mori ilaçet në qytet u ul në tokë për ti pirë. Vule Poçi me të mbaruar punë vazhdoi rrugën duke ecur me vështirësi në këtë urë të amortizuar. U rikthye në dalje të qytetit të Librazhdit ku kishte lidhur mushkën.
“Mirë do të ishte të kishte një furgon, por e kanë hequr, ka tre muaj. S’kishte kush të mi sillte ilaçet, bënin 40 mijë lekë, por 20 i mora dhe 20 për herë tjetër se nuk kisha mundësi”, u shpreh ajo.
Teksa pushon pak dhe ha bukë me gjizë tregon për sëmundjet dhe vështirësitë me të cilat po përballen familjarët e saj.
“Kam një djalë të sëmurë në shtëpi. Dy fëmijë i ka jetim. Presim që të ndahen pensionet që të marrim diçka”, u shpreh ajo.
Nënë Vulen e shoqëronte nusja e djalit që ka ndërruar jetë.
“S’kemi ushqime, s’kemi asgjë”, thotë nusja e djalit.
Pasi ngarkuan me ushqime mushkën dy gratë u nisën sërish për në fshat përmes një shtegu të vështirë.