A do të ketë orë policore edhe për Festën e Bajramit? Përgjigjet Osmani


Javën e fundit Ministria e Shëndetësisë ka raportuar për më shumë persona të shëruar nga Covid-19, se sa raste të reja të të infektuarve, me çka situatën e vlerëson si inkurajuese.

E Qeveria po mendon për zbutjen e masave shtrënguese. Zëvendëskryeministri, Bujar Osmani tha se është koha që ora policore dhe mbyllja e bizneseve të zëvendësohet me një kombinim të zgjuar të masave të buta.

“Unë mendoj se ora policore duhet të zëvendësohet me masa të buta, tash paraqitet një sfidë për shkak se është muaji i agjërimit dhe është traditë që gjatë darkës njerëzit të mblidhen shumë te njëri-tjetri. Kjo është arsyeja pse e kemi bërë deri në ora shtatë orën policore, që mos të munden njerëzit të grumbullohen nëpër shtëpi për iftar. Propozimi i parë do të jetë që edhe vikendeve të lirohet prej në ora shtatë që pastaj ditëve në vijim të lirojmë më shumë orën policore”, tha Bujar Osmani, Zëvendëskryeministër.

Lokalet do të punojnë me distancë prej dy metrash ndërmjet tavolinave ose me barrierë në mes, mirëpo data 15 nuk është definitive se restorantet dhe kafenetë do të nisin me punë.

Bujar Osmani: Nëse vazhdon ky trend i numrave të ulët të të konfirmuarve, unë mendoj se shumë shpejtë me këto rregulla të reja, që domethënë jo kapacitete të plota të kafiterive, sepse nëse i distanconi në dy metra do të thotë më pak tavolina do të keni në kafiteri.

TV21: Mirëpo nëpër tavolina sërish do të ketë qytetarë të ulur bashkë?

Bujar Osmani: Po mirëpo tavolina njëra më tjetrën sipas komisionit për sëmundje infektive do të jenë në largësi prej dy metrave dhe të ketë barriera në mes tyre.

Se a do të hapen objektet fetare kishat dhe xhamitë, Osmani tha se Qeveria nuk i ka mbyllur ato, por ka dhënë rekomandime që të mos vizitohen. Ai shtoi se zbutja e masave dhe kthimi në normalitet varet nga qytetarët se si ata do të sillen sa do t’i përmbahen mbajtjes së maskave dhe dorezave dhe distancës.