Data e zgjedhjeve, peng i pandemisë në Maqedoninë e Veriut

Njohësit e çështjeve politike në Maqedoninë e Veriut thonë se nyja e mosmarrëveshjeve sa i përket aktivizimit të parlamentit tashmë të shpërbërë mund të zgjidhet në takimin e krerëve të partive politike kryesore që pritet të mbahet mes datës 10 deri 12 maj.

Në këtë takim, pasi të verifikohet gjendja me pandeminë e koronavirusit nga ana e autoriteteve të shëndetësisë, gjithashtu do të dihet nëse do të vazhdohet gjendja e jashtëzakonshme e cila mbaron më 16 maj apo do të fillojnë të rrjedhin afatet për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare.

Ndërkohë që të gjitha partitë në vazhdimësi kanë theksuar se prioritet kanë shëndetin e qytetarëve dhe se për datën e zgjedhjeve do të vendosin pasi autoritetet shëndetësore të konstatojnë se gjendja me koronavirusin është vënë nën kontroll.

Në këtë drejtim, ministri i Shëndetësisë ka theksuar se data e zgjedhjeve do të caktohet në momentin që Komisioni për Sëmundje Infektive do të konstatojë se shëndeti i qytetarëve është i sigurt.

Por, ekspertët politikë në Maqedoninë e Veriut thonë se zgjedhjet duhet mbajtur sa më shpejtë të jetë e mundur përkatësisht në momentin e parë që do të krijohen kushte në aspektin e sigurisë për shëndetin e qytetarëve, pasi vendit tani më shumë se kurdoherë i duhet një qeveri stabile e cila do të ketë mandat për të menaxhuar pasojat nga koronavirusi, dhe përballjen me një valë të re të infeksioneve me këtë virus që eventualisht mund të ndodh në vjeshtë.

Petar Arsovski, njohës i çështjeve politike, konsideron se Maqedonia e Veriut duhet të futët në zgjedhje sapo këtë ta mundësojnë kushtet shëndetësore sa i përket menaxhimit të koronavirusit.

“Maqedonia për momentin ballafaqohet me dy situata problematike. Njëra është mosfunksionaliteti i parlamentit dhe qeveria e pakompletuar, pasi për momentin kemi qeveri teknike dhe parlament të shpërbërë dhe paralelisht me këtë kemi krizën më të madhe në historinë e shteti përballet me koronavirusin, kështu që në momentin e parë që do të jetë e mundur njëri nga këto dy probleme duhet zgjidhur, konstituimi i parlamentit dhe formimi i një qeverie stabile”.

“Kjo duhet bërë sepse në mandatin e ardhshëm qeveria e re do ta ketë të patjetërsueshme të ballafaqohet me menaxhimin e pasojave nga kriza e koronavirusit dhe për këtë i duhet mandat i pastër dhe qeveri stabile vendit”, thotë Arsovski.