Shqiptarët e Maqedonisë në pritje të VETËVENDOSJES


Shqiptarët e Maqedonisë si asnjëherë më parë janë të interesuar për zhvillimet politike në Kosovë. Një pjesë e madhe e tyre përmes rrjeteve sociale kanë shprehur një simpati për liderin e Vetëvendosjes Albin Kurti, njofton agjencia e lajmeve INA.

Amir Demiri nga Kumanova, i cili jeton në Gjenevë të Zvicrrës ka gjetur kohë që shkruaj një pankartë në mbështetje të Albin Kurtit.

“Zgjedhje po, vjedhje jo. Jemi me zemër me Albin Kurtin” ka shkruar Demiri. Por nuk është vetëm ai, janë me qindra të rinjë të cilët duan që përfaqësuesit e tyre të jenë personalitete që nuk janë të korruptuar dhe që mision kanë interesin e qytetarëve në rradhë të parë.

Përpos kësaj, atyre ju pëlqen edhe oratoria apo artikulimi i qartë i Kurtit, i cili po zhvillon një politikë parimore dhe të drejtë.

Analisti dhe profesori, Arsim Sinani thotë se, shqiptarët në Maqedoni e duan një Albin Kurti, për faktin se deri tani janë pa një drejtues të mirëfilltë politik.
“Po shihet se partitë politike shqiptare në Maqedoni të Veriu janë pa vizion politik dhe kontinuitet në veprime, prandaj edhe janë kështu sic janë sot, pa një drejtues të mirrëfilltë politik.

Çështja e servilosjes politike e krerëve politik shqiptar kundrejt elitës politike maqedone është një cështje që kërkon analizë të thellë, pasi pranvera shqiptare në Maqedoni të Veriut do të vonohet për aq kohë sa të konsolidohet kreu i ri i Qeverisë së Kosovës, Albin Kurti, i cili shihet si shpëtimtari i shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut”, thekson ai.

VV: Shqiptarët në Maqedoni janë brenga ime më e madhe

Krerët e Vetëvendosje nuk përjashtojnë formimin e shpejt të strukturave të kësaj lëvizje edhe në Maqedoni.

Liburn Aliu kohë më parë pohoi se kjo do të ndodhë shumë shpejt dhe se VV në Maqedoni do të ketë protagonizmin e personaliteteve dhe frymës së re të atjeshme dhe një politikë burimore, ashtu siç është zbatuar modeli në Shqipëri.

Themeluesi i Vetëvendosjes, Albin Kurti vazhdimisht ka shprehur shqetësime për gjendjen e shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut.

“Shqiptarët në Maqedoni janë brenga ime e madhe. Është brengë e madhe. Me shqiptarët në Maqedoni është një shpërputhje e jashtëzakonshme midis përmasë së tyre dhe gjendjes së tyre”, kishte deklaruar kohë më parë, Albin Kurti.

Sipas tij, paritë shqiptare në Maqedoni duhet të bashkëpunojnë me njëra tjetrën për ta ndryshuar karakterin e shtetit maqedonas. Ai ka përjashtuar bashkëpunim të ngushtë me ndonjë parti politike. Ndërsa muajve të kaluar ishte nikoqir në kabinetin e ish-kryeministrit Zoran Zaev.

“Në Maqedoni nuk kemi ndonjë bashkëpunim të veçantë me asnjë parti shqiptare. Më shumë jemi të interesuar që shqiptarët atje të mos i bëjnë pozitë opozitë njëri tjetrit po ta ndryshojnë karakterin e shtetit maqedonas”, është shprehur kandidati për kryeministër i VV-së, Albin Kurti.