Spanja shënon numrin më të ulët të viktimave të virusit në një muaj e gjysmë


Ministria e Shëndetësisë e Spanjës njoftoi se gjatë 24 orëve të kaluara, në këtë shtet kanë vdekur 164 persona nga koronavirusi. Kjo është shifra më e ulët ditore e viktimave që nga 18 marsi.

Kështu, numri i përgjithshëm i viktimave të Covid-19 në Spanjë shkoi në 25,264. Spanja është në mesin e vendeve më të prekura në botë nga virusi i ri, shkruan “The Guardian”.

Përpos viktimave, gjatë kësaj periudhe u shënuan edhe mbi 800 raste të reja të infektimeve. Në këtë mënyrë, numri i përgjithshëm i të prekurve shkoi në 217,466.

Sipas të dhënave të universitetit “John Hopkins”, Spanja ndodhet në vendin e dytë në botë për numrin e të infektuarve, pas Shteteve të Bashkuara, ndërsa në vendin e katërt në botë për numrin e të vdekurve nga koronavirusi, pas Shteteve të Bashkuara, Italisë dhe Britanisë së Madhe.

Qeveria spanjolle ka filluar t’i lehtësojë masat e izolimit, të vendosura disa javë më parë. Fillimisht është lejuar dalja e fëmijëve jashtë shtëpive për një orë, por janë aktivizuar edhe disa sektorë të ekonomisë dhe industrisë.