Gjaku i pacientëve të shëruar nga koronavirusi shitet ilegalisht online në vend të vaksinës


Doza gjaku “të imunizuar” të pretenduara se vijnë nga pacientë të shëruar nga koronavirusi, po shiten në rrjetet ilegale të internetit në vend të vaksinës.

Madje dhënësit e alarmit thonë se gjaku është vetëm një nga “produktet” që ofrojnë kriminelët teksa përpiqen të arkëtojnë sa më shumë nga pandemia.

Në një raportim të Institutit Australian të Kriminologjisë, thuhet se një “shtresë e errët” e faqeve të internetit mund të arrihet me anë të disa motorëve të kërkimit të paindeksuar, të cilat po përdoren nga grupet kriminale për tregtimin e artikujve të ndaluar.

Vaksina e kura të rreme koronavirusi po shiten për rreth 15 000 euro secila, së bashku me mjete personale mbrojtëse si maska, doreza dhe kostume mbrojtëse.

Studiuesi Rod Broadhurst tha se nëse një gjak i tillë injektohet te dikush, ai rrezikohet të preket nga virusi.

“Ndoshta e kanë fjalën për atë që quhet ‘vaksinimi pasiv’, kur plazma e gjakut nga një pacient i shëruar nga Covid-19 mblidhet për antitrupat e saj dhe më pas injektohet te dikush që është i rrezikuar”.

Nga rreth 645 rrjete të shitjes së produkteve të rreme që ishin zbuluar nga autritetet, 394 ishin në SHBA, 39 në Evropë, 17 në Britani dhe më pak në Kinë e Australi.

Në reklamat e tyre për mallrat e rreme shkruheshin slogane si “Ju sjellim vaksinën e koronavirusit brenda natës në shtëpi”, “Antidoti i Covid-19 vjen te ju nga Kina”, ose “vaksinë koronavirusi me dërgim të shpejtë”.

Broadhurst tha më tej: “Për disa njerëz pandemia është një mundësi kriminale për të përfituar nga frika dhe mungesat. Mendoj se këto mashtrime do të shtohen prandaj duhet të nisim t’i mbyllim. Kemi gjetur atje vaksina të pasigurta, antiviralë të ripërpunuar dhe artikuj të tjerë. Disa prej tyre reklamohen si të vjedhur nga testimet e vërteta shkencore. Por ato mund të jenë të rreme dhe këtë nuk e ndalon askush”.