27 prilli 2017, sulmi barbar ndaj demokracisë (VIDEO)


Pas shumë ditëve, seancë maratonike më 27 prill para tre viteve, shumica e re e krijuar në Kuvend vendosi të zgjedh kryetaparlamentarin e ri, Talat Xhaferi, në një procedurë jo të zakontë, nga ulëset dhe holli i sallës plenare.

Nën zhurmën e brohoritjeve të deputetëve të VMRO-DPMNE-së, deputetët e shumicës së re lexuan procedurën dhe në fund Xhaferi lexoi betimin. Jashtë sallës së Kuvendit, turma e drejtuar nga nacionalistë maqedonas dhe mbështetës e zyrtarë të VMRO-DPMNE-së, ju sulën Kuvendit duke hapur portat dhe ju drejtuan press qendrës ku Xhaferi, Zoran Zaev, Ziadin Sela dhe deputetët e partive që formuan shumicën ishin reshtuar të mbajnë konferencë për shtyp.

Dyert ishin hapur nga deputet të VMRO-së, dëshmuan më pas pamjet e siguruara nga kamerat e sigurisë, ndërsa aty u panë dhe shumë krime të rënda që u kryen nga huliganët me maska e pa maska.

Turma sulmoi deputet, liderin e LSDM-së, Zoran Zaev dhe më së shumti atë të Aleancës për Shqiptarët, Ziadin Sela. Të gjithë u përgjakën, ndërsa Selën e morën me vete dhe e goditën deri në momentin kur kishin menduar se kishte vdekur. Një pjestarë i sigurimit, Feta Alimi, kishte arritur ta strehojë në një zyrë të Kuvendit prej ku më pas, kishin arritur ta nxjerin me ambulancë dhe të kamufluar.

Intervenimi i vonshëm i njësiteve speciale arriti të nxjerë të gjallë edhe Zoran Zaevin poashtu i përgjakur, si edhe deputetë të tjerë të partisë së tij. Që të gjithë këto cak i sulmeve fizike dhe goditjeve nga ana e huliganëve që kishin arritur të futen në Kuvend.
Pas këtij rasti Prokuroria dhe gjykatat procesuan disa lëndë, për tentim vrasje ndaj Ziadin Selës, për terrorizëm dhe prishje të rendit kushtetues, për sulm fizik, rrezikim të jetës dhe rendit publik e vepra nga më të ndryshme.

Dhjetëra pjestarë të turmës u dënuan me disa vite burg, të tjerë ende pa epilog, ndërsa disa arritën të shpëtojnë me një amnesti që erdhi pikërisht në momentin kur votoheshin ndryshimet kushtetuese. Kjo amnesti u përkufizua si pajtim nga kryeministri Zoran Zaev, i cili propozoi faljen në Kuvend, ndërsa në mesin e të falurve ishin deputetët që hapën dyert e Kuvendit dhe më pas votuan ndryshimet kushtetuese që buronin nga Marëveshja e Prespës.

Kjo marrëveshje u vlerësua si jetike për shtetin dhe interes madhor, andaj nga shumë politikan dhe opinionist u arsyetua edhe amnestia.
Sot, tre vite më pas, mbështetës të Zoran Zaevit dhe Ziadin Selës kujtojnë këtë ditë duke vazhduar me thirjet për drejtësi të plotë rreth kësaj nagjarje.
27 prillin 2017 e kujtojnë edhe shumë gazetarë, kameraman dhe punonjës mediatik që kishin qenë prezent në Kuvend dhe përjetuan trauma nga kërcënimet dhe rrezikimet që ju kanoseshin nga turma e dhunshme, e cila atë ditë përgjaku institucionin më të lartë ligjvënës në vend.